in

Coppola në Durrës: “Vite më parë e dija që ekzistonte një vend ku nuk mund të shkoja. Shqipëria”

Francis Ford Coppola, regjisori i madh hollivudian, ka mbërritur në Durrrës. Takimin e parë me kineastë, studentë, gazetarë dhe intelektualë

Tiranë, 1 shtator 2011 – Francis Ford Coppola, regjisori i madh hollivudian, fitues disa herë i çmimit Oscar, ka mbërritur në Shqipëri pasditen e 31 gushtit. 

Ai është i ftuar special i edicionit të katërt të Festivalit të filmit që po zhvillohet këto ditë në Durrës Festivalin ndërkombëtar veror të filmit që zhvillohet për herë të katërt në qytetin bregdetar.

Takimin e tij të parë regjisori amerikan e zhvilloi në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, që ishte mbushur me kineastë, studentë, gazetarë dhe intelektualë të sferave të ndryshme.

“Shumë vitë më parë kam punuar në Dubrovnik dhe e dija se ekzistonte një vend ku në atë kohë nuk mund të shkoja: Shqipëria. Jam i kënaqur që jam këtu”, u shpreh që në fillim regjisori. Më vonë ka shtuar “nga personazhet e 5.000 vjetëve të fundit do të kisha dashur të takoj një njeri që ka jetuar këtu pranë: Pirron e Epirit”.

Për mëse një orë Copola ka folur mbi gjithçka, duke ftuar të pranishmit që në fillim: “Mos u druani, pyesni për gjithçka që doni të dini, nga aktrimi te teknologjia”.

Duke treguar për mënyrën e tij të punës, regjisori ka thënë se i pëlqen të bëjë të gjitha vetë. “Për këtë arsye kam vendosur që filmat e mi t’i financoj vetë” – tha regjisori. Duke iu rikthyer filmave të tij të parë ai kujtoi me nostalgji se projekte si “Njerëzit e shiut” (The Rain People, 1969) i dhanë mundësinë të thotë diçka personale, duke theksuar se shumë herë filmat me buxhet të vogël sjellin ide të mëdha.

I pyetur për suksesin e “Kumbarit” (The Godfather), filmit që i dha shumë famë, e me të cilin ka fituar disa çmime Oscar e të tjerë, Coppola nënvizoi se “ka gjithmonë një strategji biznesi në vazhdimin e serialeve, si në rastin e Kumbarit”. “Nga kjo pikëpamje “Kumbari” nuk më bëri mirë, sepse kur të konsiderojnë regjisor të madh dhe të ofrojnë buxhete të mëdha ke më pak mundësi të bësh filma indipendentë. Kjo është arsyeja përse tani i financoj vetë idetë dhe skenarët e mi”, tha Francis Ford Coppola.

Regjisori amerikan i këshilloi kineastët e rinj të besojnë te vetja e të ndjekin me këmbëngulje idetë e tyre. Ai kujtoi filmin “Apocalypse Now”, i cili fillimisht u duk si një ide e çmendur dhe shumë vite më pas u përkufizua si një film “klasik”. “Por mos harroni që në këtë profesion duhen sakrifica, shpeshherë duhet një punë e dytë. Shikoni kompozitorët e mëdhenj Çajkovski, Borodin, Rimski Korsakov, e shumë të tjerë, ata të gjithë kishin edhe një profesion tjetër”, u tha miqësisht të pranishmëve Coppola. “Durimi dhe besimi tek vetja janë dy shtyllat e rëndësishme në profesionin e kineastit”, tha regjisori, sipas të cilit kinemaja është një punë e përbashkët në bazë të të cilës qëndron shkrimi dhe aktrimi.

“Ndihem krenar për fëmijët e mi që kanë ndjekur karrierën time artistike”, tha më tej Coppola, që në Shqipëri shkon nga Italia, ku vetëm dy ditë më parë pati ceremoninë e martesës së Sofia Coppola, aktore e njohur dhe regjisore tashmë e famshme, që u mbajt në qytezën Bernalda të Materës, vendlindje e gjyshërve. “Edhe mbesa ime po e ndjek këtë rrugë”, vijoi regjisori, duke prezantuar në sallë edhe bashkëshorten, “operatore shumë e zonja filmike”, sipas tij. “Nuk janë vetëm fëmijët që përfitojnë prej meje, edhe unë përfitoj prej tyre”, u shpreh me modesti Coppola, i cili është martuar në moshën 22-vjeçare.

Pas këtij takimi regjisori u prit nga kryetari i bashkisë Vangjush Dako dhe zhvilloi në mjediset e bashkisë një takim të shkurtër me disa qytetarë të Durrësit.

Regjisori do të prezantojë në Durrës filmat e tij të fundit “Rini pa rini” (Youth Without Youth) dhe “Tetro”.

http://www.youtube.com/watch?v=qJr92K_hKl0

Punëdhënësit Ndreu i jepet masa e arrestit shtëpiak

Presidenti Topi pret Claudia Cardinalen