Sipas mediave greke “Proto Thema”, Imerisia, News24Greece, Shqipëria nuk ka të drejtë t’i japë atij “kombësi shqiptare”. Kjo dhe shumë pasaktësi të tjera të botimeve shkencore shqiptare bëhen qëllimisht për të promovuar zgjidhjen e “çështjes kombëtare shqiptare”
Romë 9 shtator 2011 – Mediat greke si “Proto Thema”, por edhe Imerisia, News24Greece, u janë rikthyer akuzave ndaj teksteve shkollore shqiptare, veçanërisht librit të Gjeografisë, që sipas tyre përmban pasaktësi të qëllimshme historike.
Gazeta “Proto Thema” shkruan me shqetësim për faktin që sipas tyre, pas Maqedonisë tani edhe Shqipëria kërkon të bëjë hero të vetin, Aleksandrin e madh.
Sipas Fjalorit të ri Enciklopedik, ADN e Aleksandrit të Madh, është shqiptare, për shkak të prejardhjes së nënës së tij Olimpiadës, e cila vinte nga Thesprotia vendbanim i një fisi ilir. Por sipas grekëve kjo është pasaktësi e madhe, pasi është e pranuar me kohë, që fiset të cilat kanë jetuar në Thesproti dhe Molosi, janë fise greke.
Mediat greke e quajnë gjithashtu të gabuar faktin që në tekstet e shkollave të Shqipërisë thuhet: “Territoret shqiptare janë Janina, Igumenica, Arta, Thesprotia, Follorina dhe Preveza, zona që iu aneksuan Shqipërisë në vitin 1913 nga Këshilli i Ambasadorëve …”. Është gjithashtu gabim që rajoni i Epirit të Veriut të konsiderohet territor shqiptar, apo që në mënyrë të qëllimshme të përdoret termi “genocid” për atë që u ndodhi çamëve gjatë luftës së dytë Botërore.
Gjithashtu sipas grekëve është gabim që emra të tillë si suljoti Marko Boçari, figurë udhëheqëse e revolucionit grek të 1821 dhe Pirro Dhima, fituesi i medaljeve të arta Olimpike, të quhen shqiptarë.
Po kështu sipas grekëve është fyese që patriotët e tyre që gjenden në Epirin e Veriut në pjesën jugore të vendit , të cilësohen “kolonë” nga vitet e pushtimit turk, që gjenden atje për të punuar pasuritë e bejlerëve shqiptarë.
Për mediat greke, këto dhe shumë të tjera janë “pasaktësitë” e Fjalorit Enciklopedik shqiptar, që është botuar me fonde publike nga Akademia e Shkencave Tiranë, institucioni më i rëndësishëm shkencor në Shqipëri, dhe që sipas tyre, ka për qëllim të promovojë zgjidhjen e “çështjes kombëtare shqiptare”, bashkimin e gjithë shqiptarët në Ballkan.