Në Dhomën e Deputetëve, Lega pranon që tatimi prej 2% mbi dërgesat në para të imigrantëve të parregullt në atdhe është i kotë. Zgjidhja? Të goditen të gjithë të huajt, edhe ata me leje qëndrimi. Qeveria lëkundet
Romë 15 shtator 2011 – Më në fund e kanë kuptuar edhe legistët, por vetëm tani e pranojnë publikisht, që tatimi i remitancave që futën në manovrën ekonomike nuk do të sjellë as edhe një qindarkë për arkat e shtetit.
Sipas çka është miratuar deri tani, tatimi prej 2% do të rëndojë vetëm mbi dërgesat në para të kryera nga shtetas të huaj me qëndrim të parregullt në Itali. Kategori kjo që, në të vërtetë, sipas një pakete sigurie të të njëjtës qeveri, të miratuar dy vjet më parë, nëse guxon të transferojë para në rrugë të ligjshme rrezikon të denoncohet e për rrjedhojë të dëbohet.
Por klandestinët e kanë zgjidhur ndryshe, dërgojnë para në vendlindje me anë të miqve dhe të afërmve me lejeqëndrimi apo duke përdorur kanale jozyrtare. Hile këto që do të përdorin aq më shumë tani, për të shmangur edhe tatimin.
Të mërkurën pasdite në Dhomën e Deputetëve diskutohej konvertimi në ligj i manovrës së re ekonomike. Teksti u blindua nga qeveria duke kërkuar votëbesim, kështu që shumë prej kërkesave për modifikime të tij u konvertuan në rend dite: praktikisht deputetët i kërkojnë qeverisë të marrë përsipër angazhime, edhe pse në të vërtetë nuk mund ta detyrojnë t-i kthejë në realitet.
Tre deputetë legistë (Alessandro Montagnoli , il capogruppo Marco Reguzzoni e Laura Molteni) kanë paraqitur një rend dite kushtuar pikërisht normës së futur nga ata vetë: asaj mbi tatimin e remitancave. Në tekst shpjegojnë që do të godasë të parregulltit, por kujtojnë edhe që sipas një ligji mbi sigurinë (edhe ky i Legës) të huajt me qëndrim të parregullt u qëndrojnë larg pikave të Money transfer-it.
Pas këtij zbulimi të madh, kanë kërkuar që qeveria të marrë masat. Në ç-mënyrë? Duke ndërmarrë “iniciativa të tjera normative për rishikimin e normës lidhur me transferimin e parave me qëllim që të shtrijnë dispozitat e tanishme (pra tatimin me 2% të shumave të dërguara në atdhe) edhe për subjektet me matrikull INPS dhe kod fiskal”. Me fjalë të tjera, duan të tatojnë edhe remitancat e imigrantëve të rregullt.