in

“Giffoni Shqipëria”, konkurs edhe për regjisorët e rinj

Në edicionin e shtatë, që do të zhvillohet në nëntor, “Giffoni Shqipëria” do të përfshijë edhe një konkurs për regjisorët e rinj për realizimin e filmave të shkurtër me temë shqiptare

Tiranë, 17 shtator 2011 – Festivali i vetëm i filmit për fëmijë dhe të rinj në Shqipëri “Giffoni”, do të rikthehet në edicionin e tij të shtatë, në fillim të muajit nëntor, me një dimension të ri. Drejtori artistik dhe krijuesi i festivalit të vetëm italian për të rinj dhe fëmijë “Giffoni Film Festival”, Claudio Gubitosi si dhe drejtori i “Giffoni Shqipëria”, Namik Ajazi, njoftojnë se ky edicion do të përfshijë edhe një konkurs për regjisorët e rinj për realizimin e filmave të shkurtër me temë shqiptare.
Tre projektet që do të përzgjidhen do të realizohen gjatë ditëve që do të mbahet festivali, dhe për regjisorët fitues do të ketë edhe një mundësi më shumë: bursë studimi në Itali me shpenzimet e mbuluara nga Giffoni Film Festival.

Drejtori artistik i “Giffoni Film Festival”, Claudio Gubitosi, tha se viti 2012 do të jetë një vit i rëndësishëm edhe për rijetëzimin e prezantimeve ndërkombëtare, pjesë e të cilave do të jetë edhe “Giffoni Shqipëria”. “Më intereson të krijoj këtu një grup pune me të rinj që dalin nga Akademia e Arteve, të cilët duhet të mësojnë ta shohin kulturën si mundësi punësimi dhe si një potencial për zhvillimin ekonomik të vendit ku jetojnë”, tha Gubitosi. Pikërisht për këtë, gjatë muajit nëntor ai do të mbajë një workshop me ta dhe së shpejti në faqen zyrtare në internet të festivalit do të lançohet konkursi për Shqipërinë: shkruaj, mendo, ëndërro, imagjino një film në Tiranë. “Tre filmat do t’i prezantojmë në ceremoninë e mbylljes së festivalit në Tiranë dhe do t’i çojmë nëpër botë si një produkt i “Giffoni Shqipëria”, tha Gubitosi.

Edicioni i shtatë i “Giffoni Shqipëria” do të jetë i përqëndruar në tre qytete si Shkodra, Durrësi dhe Tirana, ndërkohë që iniciativa e realizimit të filmave të shkurtër nga regjisorë të rinj, mund të shtrihet në të ardhmen edhe në qytete të tjera. Në program do të jenë sërish filma për fëmijë dhe të rinj të prodhuar nga studio të njohura ndërkombëtare.

“Giffoni Shqipëria” është pjesë e degëve ndërkombëtare të festivalit. Që nga viti 1997  deri në këtë edicion, rreth 350 të rinj dhe fëmijë shqiptarë kanë marrë pjesë në jurinë e Giffonit në Itali që zhvillohet çdo korrik.

Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin e gjendjes civile për kombësinë

Teliti: “Vendimi i Kushtetueses mbi kombësinë, nuk ka lidhje me censusin”