Shpërndahet në çdo qark të vendit, baza materiale e nevojshme për regjistrimin e popullsisë
Tiranë, 19 shtator 2011 – INSTAT ka përfunduar shpërndarjen e të gjithë bazës materiale në çdo qark të vendit për regjistrimin e popullsisë. Drejtorja e projektit “Census 2011”, pranë INSTAT-it, Elda Kapllani, ka deklaruar të premten, gjatë një seminari për prezantimin e metodologjisë për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, se “tashmë ka mbërritur edhe në komunën më të largët e gjithë baza materiale për regjistrimin e popullsisë”.
Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Francois Begeot, tha se Censusi është një ndër përpjekjet më të mëdha që bën një komb në kohë paqeje. “Hartimi i pyetësorit është bazuar në rekomandimet e EUROSTAT dhe Kombeve të Bashkuara”, tha Begeot. Sipas tij, BE kontribuon në fushën e statistikave në Shqipëri sepse të dhënat dhe statistikat zyrtare luajnë një rol thelbësor në shoqërinë e sotme.
Qëllimi kryesor i Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave është të japë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Regjistrimi jep nje fotografim të momentit mbi gjendjen sociale dhe nivelin e jetesës së popullsisë në një moment të dhënë (Momenti kritik i Regjistrimit). Vetëm regjistrimi mund të sigurojë të dhëna kaq të plota dhe të detajuara dhe rezultatet e tij janë jetësore për politikën dhe marrjen e masave efektive.
Ky projekt kap vlerën e 14 milionë eurove, nga të cilat 8 milion mbulohen nga Komisioni Europian. Në këtë proces do të angazhohen 14.302 punonjës, nga të cilët 129 supervizorë, 2.330 kontrollues dhe 11.843 anketues, të cilët do të shkojnë në cdo banesë të shqiptarëve për mbledhjen e të dhënave në terren.
Të dhënat e para të censusit, i cili pritet të nisë më 1 tetor, pritet që të dalin në fund të nëntorit ndërsa përfundimi i procesit dhe nxjerrja e të dhënave përfundimtare, pritet të ndodhë në mes të vitit 2012
Procesi i regjistrimit të popullsisë ose censusi ka qenë një proces i kundërshtuar, për faktin se në formularin e regjistrimit, përfshihen feja dhe kombësia.
Të dhënat e mbledhura gjatë regjistrimit mbrohen në përputhje me legjislacionin në fuqi. Hartimi i pyetësorit është bazuar në rekomandimet e EUROSTAT dhe Kombeve të Bashkuara dhe ai është testuar më parë në 100 familje.