in

Humb jetën në aksident rrugor 20 vjeçari Taçi

Një aksident i rëndë rrugor në të gdhirë të 1 tetorit ka tronditur një familje shqiptare dhe Seriaten, qytetin e vogël ku ajo jeton. Ka humbur jetën Atis Taçi, prej dhjetë vjetësh rezident në Seriate bashkë me prindërit dhe një motër. Prindërit i vënë mbi arkivol fanellën me të cilën do të luante të dielën. Shokët i i lënë fletë ku shkruajnë “Ciao Atis. Sarai per sempre nei nostri cuori”

Romë 3 tetor 2011 – Pas një nate të kaluar në diskotekë, vetëm disa qindra metra nga shtëpia një aksident rrugor i merr jetën të riut Atis Taçi. Ngjarja ka ndodhur të shtunën në 5 të mëngjesit në Seriate kur vetura Yaris, me të cilën udhëtonin katër të rinj me moshë nga 19 në 23 vjeç, ka dalë nga rruga, është përplasur me një mur e më pas ka rënë në lumin Serio, shtatë metra poshtë. Ambulancat kanë mbërritur në vendngjarje pak minuta pas aksidentit të lajmëruara nga rezidentët që kanë ndier zhurmën. Tre nga djemtë shpëtojnë, ndërsa për Atisin nuk mund të bëhej asgjë.

Me dhjetëra miq të Atisit, shokë të skuadrës me të cilën ai luante, kanë mbushur urën ku humbi jetën djali me qirinj e kartolina ku shkruajnë se nuk do ta harrojnë kurrë, se do të mbajnë kujtimin e tij gjithnjë në zemër. Shokët e skuadrës kanë firmosur një fanellë e ia kanë dhënë babait që ia ka vënë mbi arkivol. Me qindra edhe shënimet e miqve në faqen facebook të Atisit. Ndonjë në gjuhën shqipe, shumica në italisht. Nga “Nuk arrij ta besoj” e deri te “Do të jesh ylli me më shumë shkëlqim”

Babai i Atisit, Durim Taçi, ka shkuar menjëherë në vendngjarje, me të dëgjuar sirenat e ambulancave dhe të zjarrfikësve. “Ishte herët, pashë që im bir ende nuk ishte kthyer dhe zemra më tha se diçka kish ndodhur…” u rrëfen ai gazetarëve. “Atis ishte një djalë i mbarë, me shokë shumë e që e donte jetën” thotë për të birin Durimi.

Sot i goditur rëndë nga vdekja e të birit, Durim Taçi jeton në Seriate me familjen prej dhjetë vjetësh dhe dashurinë e vendasve po e ndien veçanërisht këto ditë të zeza për të e familjen e tij. Këtu është integruar mirë, punon si nëpunës, dhe për të fituar diçka më shumë bën përkthime nga anglishtja e italishtja në shqip. Në Seriate ka blerë edhe shtëpi dhe mendon të vazhdojë të qëndrojë në qytetin e vogël verior. Familja ka vendosur që Atisin ta varrosin këtu, pas ceremonisë mortore që do të mbahet në famullinë e Seriates të martën në orën 10.

 

Sonila Kaceli: “Për mua, arti është vetë jeta!”

Karabinieri qëllon e vret një shqiptar që nuk respektoi urdhrin Alt