in

Referendum apo opozitë plehrash?

E  vetmja mënyrë për të shpëtuar edhe atë pak Shqipëri që ka ngelur, është referendumi popullor në bazë të nenit 150 të Kushtetutës. Mjaftojnë 50 mijë firma të shtetasve me të drejtë vote, për të kërkuar referendum shfuqizues. Të paktën të kemi mundësinë t’i “bëjmë varrin vetes”, dhe të mos të lejojmë që varrin të na e bëjnë 69 politikanë

Nga Elton Xhanari, Brescia

Biznesi i trafikimit ilegal të plehrave toksike, gjatë 15 viteve të fundit, ka helmuar territorin e Napolit dhe Kazertës. Fjala “helmim” nuk është figurë letrare, por fakt tragjik, duke pasur parasysh se këto dy provinca kanë përqindjen e vdekshmërisë nga tumori, më të lartë në Itali. Sipas një studimi të Mbrojtjes Civile, napolitanët dhe kazertanët, janë më shumë të prekur nga tumoret në mëlçi (4% burrat, 7% gratë), tumoret në stomak (5% burrat), keqformimet gjenetike mbi sistemin nervor (8% pa diferencë gjinie), dhe të aparatit uro-gjenital (14% pa diferencë gjinie).

Zinxhiri kriminal është i thjeshtë: industritë e veriut, sipas ligjit, duhet të paguajnë ndërmarrje të specializuara për bonifikimin e mbetjeve toksike të prodhuara nga makineritë e tyre. Kamorra napolitane, krijon ndërmarrje “fantazmë” duke premtuar trajtimin e këtyre mbetjeve me më pak se gjysmë çmimi. Në vend të trajtimit, grupi mafioz, falë falsifikimit të letrave shoqëruese, gropos lëndët toksike në provincat e Napolit dhe Kazertës. Sipërmarrësit e veriut kursejnë mbi bonifikimin, kamorra pasurohet me ato para dhe ndërkohë helmon tokën e vet. Pa asnjë skrupull.

Por toka është e kufizuar dhe Kamorra është gjithmonë në kërkim të hapësirave të reja ku të groposë mbetjet toksike. Organet e hetimit italiane, kanë vërtetuar se si trafiku i plehrave është zhvilluar edhe me vendet fqinje si Gjermani, Rumani deri edhe në Kinë (nëpërmjet konteinerëve).

Nëse administrata e këtyre shteteve ka qenë e pafuqishme përpara mafies italiane, sa shpresa kanë doganat tona të kontrollojnë me imtësi cilësinë e plehrave që do të importohen në bazë të ligjit 10463 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”?

Për të qenë të saktë, ligji nuk është dekretuar akoma nga Presidenti, pra nuk ka hyrë në fuqi, por pak shpresa ka që presidenca aktuale ta rikthejë në Parlament për rishqyrtim. Vetoja e Presidentit është e përkohshme, sepse votimi i dytë e bën dekretimin të detyrueshëm, por do të ishte një akt guximi në dobi të kombit. Vështirë që zoti Topi, i cili kishte frikë nga gurët e militantëve të partisë së vet, t’i futet kësaj rruge.

Pra, duke e marrë të mirëqenë shpalljen e ligjit në Fletoren Zyrtare, e vetmja mënyrë për të shpëtuar edhe atë pak Shqipëri që ka ngelur, është referendumi popullor në bazë të nenit 150 të Kushtetutës. Mjaftojnë 50 mijë firma të shtetasve me të drejtë vote, për të kërkuar referendum shfuqizues. Të paktën të kemi mundësinë t’i “bëjmë varrin vetes”, dhe të mos të lejojmë që varrin të na e bëjnë 69 politikanë.

Ndoshta e vetmja forcë e organizuar në gjendje të mbledhë kaq shumë firma në pak kohë, është Partia Socialiste e cila, në këtë mënyrë, mund të lajë edhe mëkatin e kryer gjatë miratimit të ligjit, duke lejuar arritjen e kuorumit me qëndresën në sallën e kuvendit.

Ky diletantizëm politik (çudi që vjen nga një “ujk i vjetër” si Gramoz Ruçi), do të falej nga një fushatë e gjerë informacioni mbi një çështje jetësore për të gjithë shqiptarët. Do të ishte e nevojshme një përgjigje zyrtare nga selia rozë, për të kuptuar njëherë e mirë nëse rreziku i helmimit të populli të vet, përbën apo nuk përbën prioritet për socialistët.

Nëse me të vërtetë opozita është ndryshe, e ka për detyrë të shfrytëzojë edhe instrumentin e fundit që kushtetuta i jep për të parandaluar shpërthimin e një bombe ekologjike që kërcënon themelet e brishta të Shqipërisë. Rama me shokë kanë mundësinë më të mirë për të luftuar për një kauzë të prekshme dhe të drejtë. Përndryshe, nga bashkëfajtorë, do të ktheheshin në bashkëpunëtorë, dhe nuk do të na ngelej veçse një thirrje: Zoti na ruajttë! 

(Botuar në të përditshmen Shekulli)

Shkel arrestin e shtëpisë për të shkuar në restorant

Ndalet në aeroport të Riminit një shqiptar me pasaportë greke të falsifikuar