in

Dhimitër Anagnosti, Nder i Kombit

Presidenti Topi dekoron regjisorin dhe skenaristin e mirënjohur Dhimitër Anagnosti, me Urdhrin “Nderi i Kombit”

Tiranë 21 tetor 2011 – Presidenti Bamir Topi, ka dekoruar (më 20 tetor) kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti, me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, një ndër themeluesit e Kinematografisë Shqiptare, autorit të shumë filmave të rëndësishëm që shënuan pika referimi në artin shqiptar”. Në ceremoninë e mbajtur në Presidencë ishin të ftuar personalitete të artit, kulturës, aktorë, regjisorë, kineastë, miq e familjarë.

Anagnosti, duke shprehur mirënjohjen e thellë për këtë vlerësim, vuri në dukje se “dekorimi me këtë titull të lartë, është një vlerësim e nderim. Krijimtaria ime është ushqyer nga jeta ime dhe e popullit tim, nga çdo gjë që ky popull ka përjetuar e krijuar, nga gëzimet e tij e po aq edhe nga dhimbjet e tij, dhe kjo përmes gjuhës shqipe”.

Dhimitër Anagnosti ka lindur në Vuno të rrethit të Vlorës më 23 janar 1936. Mbaroi shkollën e mesme “Ali Demi” në Vlorë, ndërsa studimet e larta i kreu me nota të shkëlqyera në Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re” në 1961, ku debutoi me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës”, dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurrime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve, përveç atyre të filmave të drejtuar prej tij.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar.

Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në TK dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit“, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u angazhuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Në vitin 1991 angazhohet në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Më 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, kur dha dorëheqjen.

Regjisori është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.

 

Tetë të humbur dhe dy të mbijetuar nga përplasja e dy anijeve

Zhvillimi sipas Legës: “Të papunët e huaj, në shtëpi të tyre pas tre muajsh”