in

Era e ngrohtë e vendlindjes

Mbresa nga një udhëtim në Asti

Marrim e me kënaqësi botojmë shkrimin e prof. Murat Gecaj, Tiranë

Me bashkëshorten bëra, kohët e fundit, një udhëtim mjaft të dëshiruar dhe të këndshëm në qytetin e vogël e të bukur Asti, në veri-perëndim të Italisë. Ne kishim qenë edhe herë të tjera, pra që nga vjeshta e vitit 1991, kur  aty u vendosën dy djemtë tanë, me banim e punë.

Udhëtimi nga Rinasi e zbritja në aeroportin e qytetit Genova, shkaktuan jo pak emocione te ne të dy. Përqafimi i përmallshëm dhe i nxehtë me djalin tonë “të vogël”, Altinin (tashmë 40-vjeçar), na e lehtësoi gjendjen tonë shpirtërore dhe pothuajse nuk e ndiem udhëtimin tonë njëorësh, deri në qytetin Asti. Së pari, u ndalëm në dyqanin ushqimor “Alimenti-2A”, ku gjetëm bashkëshorten e tij Lorenën dhe djalin tonë të madh, Arianin me të shoqen Anila e djalin Mattia. Aty ndodhej dhe çifti i moshuar italian, Salvatore e Maria Palumbo, të cilët kishin  shërbyer më parë në këtë njësi shitjeje dhe tani ishin në pension, por përsëri donin të ishin çdo ditë të pranishëm. Ndërsa tani në këtë dyqan, që nga shtatori i këtij viti, me kujdesin dhe të Dr. Antonio Suterrës, do të shërbejnë dy djemtë tanë, prandaj e kanë emërtuar ashtu: “2A”.

Jam i sigurt, ashtu siç e vërejtëm edhe në bordin e avionit “Bel Air”, si në vajtje nga Rinasi e në kthim nga Gjenova e Italisë, se janë me dhjetëra e qindra prindërit e shqiptarët e tjerë, që kanë shkuar e do të shkojnë për vizitë te fëmijtë ose të afërm të tyre, në Itali dhe shtete të tjerë. Po përmend këtu edhe faktin, që më tregoi dje bashkëmoshatari Maxhun Margjeka, kur e pyeta për më të moshuarin e fshatit Rosujë të Tropojës, afër 90-vjeçarin Shaban Zmajli dhe më tregoi se këto ditë ai ndodhet për vizitë te djali, në Francë. Pra, ne nuk ishim një rast i veçantë I vizitorëve shqiptarë nëpër Europë e kështu edhe secili nga ata do të tregonte sa e sa episode e ngjarje të përjetuara dhe interesante, gjatë ditëve të qëndrimit në Itali ose shtete të tjerë. Se, tashmë, me heqjen e regjimit të vizave, vajtja atje është bërë dukuri e natyrshme. Kështu, është e pëlqyeshme për ne dhe të ngjan sikur do të udhëtosh për në një qytet të Shqipërisë. Pra, pret një biletë avioni ose trageti dhe, sakaq, ndodhesh pa asnjë pengesë edhe në shtetin tonë fqinj, përtej Adriatikut.

Këtu nuk mund të lë pa shprehur shqetësimin e kohëve të fundit, në vendin tonë e më gjerë, se ndonjë shoqatë e paaurorizuar ose njerëz spekulantë e dashakeqë të këtij procesi të pakthyeshëm e të Shqipërisë demokratike, po përpiqen të krijojnë përshtypjen e gabuar të shteteve europiane, se shqiptarët, duke përfituar nga lëvizja pa viza,  duan të qëndrojnë përgjithnjë atje, “me azil politik”, sidomos në Belgjikë, duke thënë se, gjoja, këtu te ne janë “të rrezikuar” nga gjakmarrja!? Por këta antishqiptarë lipset ta dinë mirë se ka ikur koha e “dënimeve kolektive” dhe që secili shtetas shqiptar mban përgjegjësi të plotë vetjake, për sjelljet dhe veprimet e tij të gabuara e të kundërligjshme. Pra,sigurisht, shqiptarët do të vijojnë të lëvizin pa viza e të lirë nëpër Europë dhe shumë shpejt vendi ynë do të jetë pjesë e natyrshme e saj.

2.

Ne qëndruam disa kohë në qytetin Asti, ku jeton Altini me familjen dhe ditë të tjera i kaluam jashtë tij, në Tanaro, si të ishim p.sh. larg Tiranës, në Kamzë. Aty jeton Ariani, me gruan Anila e djalin Mattia, i cili vijon klasën e 10-të, lindur e rritur në Itali. Por ai ka qenë disa herë në Tiranë dhe bile, me ne, në Golem, ku ata kanë dy hyrje plazhi. Pak vjet më parë ata blenë edhe një shtëpi të bollshme në Asti dhe me hapësira të mjaftueshme për rreth, ku kanë pishinë e kopsht zarzavatesh, fiq, qershi e kumbulla dhe pak më tej janë arrat, lajthitë e gështenjat. Prandaj bashkëmoshatarë të Arianit, si p.sh. Sokol Gorica (me banim në Tiranë), Artan Haluli (me banim në Bruksel) e tjerë, kur  kanë shkuar aty mysafirë dhe i kanë parë se ku jetojnë ata, i kanë quajtur me shaka, “fshatarë” ose “katundarë”.

Për ta siguruar jetesën që ata e kanë sot, Ariani e Anila kanë bërë dikur punë të ndryshme. Ndërsa ka vite që administrojnë një zyrë punësimi, të lidhur me ndërmarrje prodhimi, nga kanë siguruar të ardhura të mjaftueshme. Më kujtohet një bisedë e Arianit, me anën e internetit, kur më tha: “Ngrihem herët në mëngjes, ende pa u gdhirë mirë dhe nisem për në Kuneo, duke bërë vajtje-ardhje afër 300 km. Ishte pranverë e kishin nisur të çelnin lulet e para, por ato nuk i kisha parë, deri sa erdhi një e diel, ditë pushimi”. Ndërsa në një rast tjetër, ai u shpreh: “Mësimi më i madh i yni këtu, është edukata e punës”.

Në kohën e shëtitjeve nëpër qytet ose kur kishte tregun në qendër të tij, përreth monumentit të Alfierit, pra në ditët e mërkura e të shtuna, kemi takuar dhe shqiptarë të ndryshëm, emigrantë atje. Të gjithë na kanë folur për punën e jetesën e tyre, sidomos në ndërtim, pra jo pa lodhje e sakrifica. Por janë shprehur me mallëngjim për vendlindjen e tyre, për Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Vlorën ose qytete të tjerë. Ndër familjarët, që takuam aty, ishte dhe Elda Duro, me burrin Saimirin e vajzën 9-vjeçare, Inesin. Ata na thanë se bisedojnë përherë në telefon me prindërit e të afërm të tjerë dhe, kur i kanë pushimet, vijnë në Shqipëri.

Ndër kujdeset e veçanta të prindërve shqiptarë është që djemtë e vajzat e tyre, të cilët kanë lindur e po rriten atje, të mësojnë ta flasin sa më mirë edhe gjuhën shqipe. Por, me keqardhje e them, se nuk kishte asnjë punë të organizuar në këtë drejtim, megjithëse në Asti jetojnë tash mbi 20 vjet shumë emigrantë shqiptarë. Ndoshta, është numri më i lartë i tyre, në përpjesëtim me qytete të tjera të mëdha italiane. Por aty nuk ka as ndonjë klub kulture a bibliotekë, ku të mblidhen me raste emigrantët shqiptarë! Nuk e di saktësisht nëse ka pasur ndonjë interesim në këtë drejtim nga Ambasada jonë në Romë. Por, sidoqoftë, kjo gjendje duhet t’i shqetësojë më tepër, ata dhe Institutin e Diasporës, pranë MPJ, në Tiranë.

Kur një i moshuar shkon në qytete të ndryshme të Italisë, ndodh që ka detyrim dhe të vizitohet ose të kurohet në spitale. Kështu u paraqit rasti edhe për bashkëshorten time. Në urgjencën e spitalit të Astit shkuam me makinë dhe aty ajo  u regjistrua për vizitë. Na u desh të prisnim disa minuta, deri sa i erdhi radha. Për ta identifikuar saktësisht shqetësimin e dhimbjen e fortë të saj, që vinte nga gurët në tëmth, qëndroi më shumë se 24 orë në ata spital. I bënë vizita e analiza të ndryshme e i dhanë një kurë disaditore për qetësim. Por, që procedura të vijohej më tej, kërkohej që ajo të kishte një lejë qëndrimi në Itali, pasi ndryshe, duke mos qenë pjesëtarë të Bashkimit Europian, nuk mund të bëhet asnjë operacion atje, me përjashtim të rasteve tepër urgjente, për t’i shpëtuar jetën e një njeriu!? Sigurisht, bashkëshortja ime ishte në gjendje të vëzhgonte e ta vlerësonte edhe shërbimin, që u bëhej pacientëve aty. Përgjithësisht, ai ishte korrekt, njerëzor e në një shkallë të lartë. Por, ama, kishte ndodhur që, për t’i marrë gjakun në damarë, e kishin shpuar disa herë në krah me gjilpëra dhe më pas iu bë një nxirje e madhe, e cila i vijoi disa ditë. Prandaj ajo u shpreh: “Kam bërë analiza disa herë edhe në Poliklinikën Qendrore ose në Spitalin Nr.1 e Nr.2 të Tiranës, por kurrë nuk më kishte ndodhur ashtu. Pra, ne kemi infermiere e mjekë shumë të mirë, po të mos e lidhnin çdo shërbim të tyre me fitimin e padrejtë nga pacientët ose duke u parë atyre duart!”.

Kështu, përsëri  dhe natyrshëm, mendja na shkon përherë te vendlindja dhe shprehja lapidare: “Guri peshon rëndë, në vendin e vet!”

3.

Mund të sillja edhe dëshmi e fakte të tjerë, nga ky udhëtim, për të treguar se vendlindja, atdheu ynë i dashur, ka një fuqi të jashtëzakonshme e magjike, që të tërheq e të afron me të, kudo që të ndodhesh nëpër globin tonë  tokësor. Prandaj dhe përsëri u dhashë të drejtë disa miqve e kolegëve emigrantë shqiptarë, ndër ta, Përparim Hysit, Makfire Canollit  e të tjerëve, që shkruajnë vazhdimisht poezi, me aq mall të pashuar e dashuri, për mëmëdheun tonë të përbashkët. Ndërsa mbi 75-vjeçari Pal Neçaj, nga Nikaj-Merturi  i Malësisë së Gjakovës (Tropojë), me banim familjarisht në Manhaten të Nju Jorkut që nga viti 1992, kishte një motiv shumë të fortë, dhe i pushtuar nga “era e ngrohtë e vendlindjes”, kohët e fundit, publikoi librin me vjersha plot frymëzim dhe me titullin kuptimplotë, “Ëndrrën e lashë atje…”.

Tiranë, 25 tetor 2011

Étrangere – Immigrati di seconda generazione

Zgjedhjet e 8 majit. Nis asgjësimi i fletëve të votimit