in

Shërbimi civil. Nuk mund ta kryesh nëse je i huaj

B.A., shqiptare prej 12 vjetësh në Brescia dëshiron të bëjë shërbimin civil por i hidhet poshtë kërkesa. Dhoma e Punës, Fondacioni Piccini dhe Asgi çojnë rastin e përjashtimit të vajzës në gjykatë. Për një rast të ngjashëm me në qendër një pakistanez, Asgi e Apn ngrenë kauza civile kundër diskriminimit në gjykatën e Milanos. “Është shkelur parimi i barazisë. Italia është atdhe edhe për brezat e dytë”

Romë, 26 tetor 2011 – B.A. është 28 vjeçe, prej 12 vjetëve jeton në Brescia ku po diplomohet në universitet për Drejtësi. Si mijëra  të rinj të tjerë bashkëmoshatarë të saj, këtë vit kërkoi të merrte pjesë në Shërbimin civil kombëtar vullnetar, por iu mohua sepse nuk ka shtetësinë italiane. Sved S. është 26 vjeç i lindur në Pakistan. Jeton në Milano që kur ishte 15 vjeç, ka ndjekur këtu shkollën e mesme e është regjistruar në Universitet për drejtësi. Edhe ai këtë vit kërkoi të merrte pjesë në Shërbimin civil kombëtar dhe ashtu si të resë shqiptare iu mohua e drejta sepse nuk është italian.

Dhoma e Punës, Fondacioni Piccini dhe Asgi çojnë rastin e përjashtimit të vajzës në gjykatën e Brescias, ndërsa Asgi e Apn ngrenë kauza kundër diskriminimit në gjykatën e Milanos.

“Mund të ishte i kuptueshëm ndalimi i pjesëmarrjes kohë më parë kur bëhej shërbimi ushtarak i detyruar  – komenton avokati Alberto Guariso i shoqatave ASGI (Associazione Studi Giuridici sull’Immigrazione) dhe Apn (Avvocati per Niente ONLUS) që ka ngritur kauzat – Por tani bëhet fjalë që të rinjtë të marrin pjesë në programe për ndihmë shoqërore apo në mbrojtje të pasurisë kulturore apo natyrore. Ligji është anakronist. Shprehja e lashtë “mbrojtja e atdheut” sot duhet kuptuar si mbrojtje e komunitetit në tërësi dhe nuk kuptohet pse një i huaj që jeton mes nesh prej shumë vitesh nuk mund të marrë pjesë”.

Sipas Asgi-t, për të rinjtë e huaj të lindur në Itali apo që jetojnë këtu prej shumë vitesh, kriteri i shtetësisë për të marrë pjesë në Shërbimin Civil është i paarsyeshëm dhe paraqet një vështirësi të kotë më shumë në rrugën e tyre të integrimit.

Përmes çështjeve gjyqësore të ngritura, shoqata i kërkojnë gjykatës të aplikohet parimi i barazisë të përcaktuar nga neni 2 i Tekstit Unik mbi imigracionin dhe parimet kushtetuese të barazisë e të arsyeshmërisë të theksuara me forcë nga sentenca të fundit të Gjykatës kushtetuese. Kërkohet gjithashtu që gjykatësi të ngrejë çështjen edhe në Gjykatën kushtetuese në mënyrë që kjo e fundit të vlerësojë kontrastin mes përjashtimit të të huajve nga shërbimi civil dhe nënëve 2 dhe 3 të Kushtetutës.

Çështjet e ngritura kanë për qëllim të vënë në qendër të vëmendjes edhe faktin që shumë të rinj që duan të bëjnë shërbimin civil janë “të huaj” vetëm për shkak të ligjit mbi shtetësinë, i padrejtë dhe i vjetëruar, ndaj edhe lidhen ngushtë me fushatën e këtyre ditëve “Italia jam edhe unë”, të cilën shoqatat Asgi e Apn mbështesin me bindje.

Zgjedhjet e 8 majit. Nis asgjësimi i fletëve të votimit

Greqia u heq pensionin 3.500 të moshuarve shqiptarë