in

Në kokën e Papandreut. Motivet e një hapi të madh e të gabuar politik

Nga Isabel MALSANG dhe Catherine BOITARD  (përkthyer nga ATSh)

“Panik” përballë rrezikut për kaos në rrugë, vullnet për ta lënë pa fjalë një opozitë kokëfortë apo dëshirë e pavullnetshme për të hequr dorë? Pyetja përse Jorgo Papandreu e zhyti vendin dhe Evropën në një krizë të padëgjuar vazhdon të trazojë Greqinë sot.

Ndërkohë që analistët po stërmundohen me hamendje për motivet që e çuan kryeministrin grek në një hap të madh e të gabuar politik, duke propozuar një referendum, të cilin ai megjithatë shprehet i gatshëm ta tërheqë.

Në fakt, dje pasdite, ai njoftoi se heq dorë nga ky referendum, përpara kërcënimit të anulimit të fondeve për Greqinë dhe të përjashtimit nga euroja nga partnerë të habitur dhe duke iu sosur durimi.

Ky udhëheqës deri tani i njohur për karakterin e shtruar dhe talentin e negociatorit kishte përhapur panik me njoftimin të hënën për t’ua paraqitur zgjedhësve për votim marrëveshjen antikrizë të zonës euro, e arritur me shumë mund në Bruksel mes 17 vendeve të zonës euro dhe qindra bankierëve mbrëmjen mes 26 dhe 27 tetorit.

“Është e vështirë të gjendet një shpjegim racional për këtë gjest”, thekson Thanassis Diamantopulos, profesor i shkencave politike në universitetin e Athinës, sipas të cilit “duhet t’i drejtohemi psikanalizës” për të kuptuar.     

“Kur konstatoi se qeveria e tij po shpërbëhet, ndoshta ai ka dashur, në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme të tentojë gjithçka për të tërën: ose ta marrë me vete në rrëzimin e tij të gjithë sistemin politik, madje zonën euro, ose të shfaqet si një mjeshtër i madh loje, në të njëjtin nivel si gjyshi dhe babai i tij”, dy ish-kryeministra karizmatikë, guxon ai.

Diamantopulos përmend gjithashtu “lodhjen dhe një problem rezistence fizike dhe psikike” ndaj presioneve kontradiktore që i janë bërë Papandreut që prej ardhjes në pushtet në 2009, ndërkohë që po shpërthente kriza e borxhit me të cilën po përballet vendi i tij.

Politologu Georges Sefertzis, i njohur si i afërt me familjen Papandreu, u referohet dy motiveve që çuan në këtë ndërmarrje të rrezikshme, një psikologjik, “paniku”, tjetri tepër politik, “gjetja e legjitimitetit” të nevojshëm për rimëkëmbjen e një vendi rebel ndaj kurës së rreptësisë ekonomike të kërkuar nga BE-ja dhe FMN-ja në këmbim të premtimeve për shpëtimin.

“Fakti që është cilësuar si ‘tradhtar’ në vendin e tij gjatë manifestimeve të së premtes së kaluar që sollën anulimin e paradave ushtarake për festën kombëtare, diçka e padëgjuar në Greqi, ka ndikuar shumë”, theksoi Sefertzis.

Papandreu, me nënë amerikane dhe i rritur në mërgim që prej përfundimit në 1974 të diktaturës së Kolonelëve, i përbuzur prej muajsh si “shërbëtori i Brukselit” ose “punonjësi model i FMN-së”, deklaroi një ditë se është ‘grek sepse zgjodhi vetë dhe jo nga nevoja’”, kujton analisti.

Sipas Séfertzis, “në fakt Papandreu nuk kishte zgjedhje tjetër, ishte i detyruar të përballej me rrezikun e një situate që doli jashtë kontrollit në vend: të premten e kaluar, ekstremi i majtë dhe ekstremi i djathtë u mblodhën në rrugë për të kundërshtuar qeverinë, kjo mund të çonte në kaos, në një vend ku administrata nuk funksionon më dhe ku populli manifeston çdo dy ditë”.

“Deputetët grekë nuk mund të dalin më pa u ofenduar ndërkohë që për të përmbushur angazhimet për masa të rrepta ekonomike, mazhoranca socialiste mendohet të miratojë sakrifica të tjera”, përforcon Michalis Spourdalakis, profesor i shkencave politike në fakultetin e drejtësisë së Athinës. “Trazira dhe zemërimi janë kudo, Papandreu ka ngecur mes tyre”, deklaron ai. 

“Kriza politike u rëndua edhe më tepër nga ngurtësia e opozitës së djathtë, e akuzuar si e papërgjegjshme deri në familjen e saj politike evropiane pasi nuk ka reshtur së kundërshtuari thirrjet e Papandreut për unitet kombëtar.

Megjithatë, për herë të parë, Antonis Samaras, rivali konservator i Papandreut njoftoi sot se do të bjerë dakord me një “qeveri tranzicioni” për të garantuar miratimin nga Greqia të planit evropian të shpëtimit.

Partizan i deklaruar prej vitesh i demokracisë gjithëpërfshirëse, Papandreu ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të majtë dhe interglobalistë në Evropë, dhe ajo që është më paradoksale, të mediave dhe përfaqësuesve konservatorë gjermanë, të cilët i bënë thirrje BE-së të nxisë pak më tepër për demokraci në vendimmarrjen e saj.

Qëndresa e ushtarakëve italianë në Shqipëri

Kuvendi hedh poshtë dekretin e Topit. Mbetet në fuqi ligji i plehrave