Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për cilësinë e keqe të karburanteve në Shqipëri që shkakton rritje kostosh krejtësisht të paarsyeshme për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare në tërësi
Tiranë, 7 nëntor – Konfindustria ka shprehur të dielën shqetësim lidhur me vazhdimësinë e gjendjes së vështirë në tregun e karburanteve në vend, duke kërkuar nga institucionet shtetërore përkatëse marrjen e masave ndëshkuese ndaj spekulatorëve dhe shkelësve të ligjit.
Administratori i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, thekson se ky shqetësim merr shkas nga paraqitja së fundmi e përfundimeve të kontrollit të Inspektoriatit Qendror Teknik, IQT, sipas të cilit, llogariten se deri në 30 mijë ton karburante në vit, të cilat qarkullojnë në tregun vendor, janë jashtë standardeve të cilësisë, me pasoja të rënda mbi zhvillimin ekonomik, uljen e aftësisë konkurruese të industrisë, dëmtimin e shëndetit, etj.
Konfindustria, sipas të dhënave të saj, vlerëson se sasia e karburanteve jashtë standardit është edhe më e madhe se sasia e paraqitur nga IQT. Të marra në tërësi, pasojat e ardhura nga mungesa e rregullimit të tregut të karburanteve dhe kryesisht cilësia jashtë standardeve shkaktojnë rritje kostosh krejtësisht të paarsyeshme për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare në tërësi në shifra, që tejkalojnë 150 milionë euro në vit. Shifrat e mësipërme nuk përfshijnë pasojat në makineri, pajisje, mjedis dhe shëndetësi, që shkaktohen nga cilësia e karburanteve në qarkullim në tregun shqiptar, që në tërësinë e tyre shumëfishojnë humbjet ekonomike për biznesin dhe qytetarët.
Tregu i karburanteve në Shqipëri është tregu më i madh në vend me një qarkullim vjetor nga 900 milionë deri në 1 miliard euro dhe me ndikim të fuqishëm në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik tërësor të vendit.