in

Mario Monti, kryeministri i ardhshëm i Italisë

Do të ketë detyrën e vështirë t’i japë sinjale rimëkëmbjeje ekonomisë dhe të rrisë prestigjin  e rënë kohët e fundit të Italisë në arenën ndërkombëtare duke rifituar edhe besimin në tregjet financiare

Romë, 14 nëntor 2011 –

Siç pritej ish-komisioneri evropian, Mario Monti u ngarkua dje për formimin e një qeverie të re nga presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano. Kjo u arrit pas një dite të gjatë konsultimesh në pallatin presidencial, Quirinale, mes presidentit dhe përfaqësuesve të të gjitha forcave politike. Sipas kushtetutës italiane, emërimi i Montit duhet të hyjë në fuqi brenda 10 ditëve nga miratimi në dy dhomat e parlamentit.

Me një mbështetje të madhe për kryesimin e qeverisë italiane, me detyren parësore për të rivendosur besimin në tregje, 68 vjeçari Mario Monti, njeri i qetë dhe i ekuilibruar, identifikohet si antipod i impulsivitetit të Silvio Berlusconit, i akuzuar se kishte vënë në rrezik besueshmërinë e vendit. 

I ashtuquajtur shpeshherë ”kardinal”, Monti ka fituar një reputacion për kompetencën dhe pavarësinë si komisioner evropian për 10 vjet (1994-2004). I emëruar senator i përjetshëm nga presidenti Napolitano, pikërisht ditën ai tashmë ka marrë mbështetjen e drejtoreshës së përgjithshme të FMN-së, Christine Lagarde. “E njoh mirë Mario Montin, e vlerësoj shumë dhe kam shumë respekt për atë. Mendoj se ai është një njeri me cilësi të mëdha me të cilin gjithmonë kam pasur një dialog frytdhënës dhe shumë të ngrohtë”, deklaroi Lagarde. 

Shumë i heshtur që kur emri i tij zuri vendin e parë në gazeta, kandidati i ardhshëm ka shtuar muajt e fundit ndërhyrjet për krizën ekonomike. “Duhet të realizojmë reforma duke bashkuar forcat e çdo partie politike”, theksoi ai më 23 shtator. 

Shenjë që kohërat kanë ndryshuar tashmë: larg gjykatave apo qyteteve luksoze ku paparacët prisnin me padurim Berlusconin, fotografët dhe kameramanët prisnin sot Montin të dilte nga mesha në Romë. 

I lindur më 19 mars 1943 në Varese, Mario Monti kryen studimet në Universitein e njohur ”Bocconi” në Milano, i konsideruar si fakulteti më i mirë i Ekonomisë në Itali.
Ai vazhdon studimet në SHBA në Universitetin Yale, ku studion me çmimin Nobel të Ekonomisë, James Tobin, babi i projekt-taksës financiare që mban edhe emrin e tij. 

Në vitin 1970, ai fillon të japë mësim në Universitetin e Torinos dhe largohet në vitin 1985 për t’u bërë profesor i ekonomisë politike në ”Bocconi”, ku mori postet e drejtorit të Institutit të Ekonomisë Politike, rektorit dhe në fund president në vitin 1994, një funksion që e mban akoma. 

Në vitin 1994, ai u propozua nga kryeministri Silvio Berlusconi për një post të komisionerit evropian të presidentit të Komisionit, Jacques Santer, i cili i besoi atij Tregun e Brendshëm, Shërbimet Financiare, Fiskalitetin dhe Unionin Doganor.
Nën drejtimin e tij, Komisioni Evropian ndërmerr një procedurë kundër ”Microsoft”-it, që përfundoi me një gjobë prej 497 milionë euro, për shkeljen e normave antitrust.

Evropa e shikon si njeriun që mund të nxjerrë Italinë nga kaosi, pasi Monti është europeist i flaktë që nuk e imagjinon Italinë jashtë Evropës.

Si mësohet gjuha shqipe në Itali

Hapet sheshi Skënderbej