in

INSTAT. Në mes të dhjetorit, të dhënat paraprake të Censusit

Ines Nurja: “Ka nisur në terren anketa Pas-Censusit. Shërben për të vlerësuar përqindjen e mbulimit të popullsisë dhe banesave të Censusit”.

Tiranë 18 nëntor 2011 – Të dhënat paraprake mbi Censusin 2011 në Shqipëri do të bëhen publike në mesin e muajit dhjetor. Drejtoresha e Institutit të Statistikave, Ines Nurja, deklaroi të ente se tashmë ka nisur në terren anketa e pas-Censusit, e cila do të zgjasë rreth 3 javë. 
“Kjo anketë shërben për të vlerësuar përqindjen e mbulimit të popullsisë dhe banesave të Censusit. Përgatitjet për këtë anketë kanë filluar paralelisht me Censusin, disa muaj më parë”, tha Nurja.

Për këtë anketë, sipas Nurjes, është përgatitur një pyetësor tip me 11 pyetje dhe kohëzgjatja në terren do të jetë rreth 3 javë. Aktualisht janë rreth 106 anketues të INSTAT-it, të cilët kanë filluar punën në terren për të mbledhur këto të dhëna. Numri i zonave të censusit të përzgjedhura është 106 (rreth 1 % e totalit të Shqipërisë) të cilat përfaqësojnë të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që mbledhin informacion në rang qytetesh të ndara në urban-rural. 

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me marzhin e gabimit, Nurja sqaroi se procesi i përllogaritjes ende nuk ka përfunduar, ndaj duhet pritur. “Kemi filluar skanimin e shumatorëve, dhe pasi të bëhet skanimi do shohim marzhin e gabimit. Normalisht ka një marzh gabimi”, bëri të ditur ajo.

Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një kohë të caktuar. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet social- ekonomike dhe kushtet e jetesës.

Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor. INSTAT njoftoi se ai do të zgjaste 3 javë. Por duke parë ecurinë, ku një pjesë e mirë e shtetasve në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të mëdha, për shkaqe të ndryshme nuk mundën të regjistroheshin, INSTAT tha se nevojitej edhe një javë kohë për të përmbyllur me sukses procesin. Në javën e fundit të tetorit, në terren dolën kontrollorët, të cilët kontrolluan punën e regjistruesve, si dhe regjistruan edhe të vonuarit. 

Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë. Të dhënat e Censusit do të sigurojnë këtë informacion dhe do të ndihmojnë autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj. Për më tepër të dhënat e Censusit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave, kështu që institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare mund të ndjekin me lehtësi zhvillimet dhe të planifikojnë aktivitetet e tyre më me saktësi. 

Këto të dhëna do të përdoren nga qeveritë në nivel kombëtar dhe lokal, bizneset, institucionet kërkimore dhe akademike, agjencitë zyrtare statistikore, shoqëritë civile, individët, partnerët rajonalë, Bashkimi Evropian, organizatat ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OSBE, organizata te Kombeve te Bashkuara si UNFPA, UNICEF, etj. 

Rreth 200 shtete në të gjithë botën realizuan Censuse të rregullta. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian inkurajojnë të gjitha shtetet që të mbledhin informacione të tipit të Censusit. Censuset janë zakonisht të realizuara në intervale 10 vjeçarë në data të përafërta me shtete të tjera të botës. Kjo garanton që krahasimi i të dhënave midis shteteve të jetë i mundshëm dhe i besueshëm. 
Për këtë proces masiv në terren u shtypën 40 milion faqe materiale censusi dhe punuan 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikqyrës 36 kordinatorë lokalë. I gjithë procesi kushton 14 milionë euro.

Në Itali, ku regjistrimi i popullsisë është duke u bërë, fasa e përpilimit të pyetësorëve dhe e dorëzimit të tyre përfundon më 20 nëntor.

Topi: “Ambasadori D’Elia, rol të rëndësishëm në marrëdhëniet Itali-Shqipëri”

Mjekët: “Përmirësohet gjendja shëndetësore e Leka Zogut”