in

Haxhinasto Konsujve të Nderit: “Jeni ndihmë e madhe për Shqipërinë”

Ministri i Jashtëm Haxhinasto takohet sot me 40 Konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë. “Një ndër sfidat tona është të ndihmojmë për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, jam i sigurt që ju do të na ndihmoni edhe për këtë objektiv”

Tiranë, 28 nëntor 2011 – Zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi pritën sot në ambientet e MPJ-së, 40 konsujt e Nderit të Shqipërisë nëpër botë, që po zhvillojnë një vizitë dy ditore në Tiranë.

“Jeni një ndihmë e madhe për arritjen e disa objektivave në politikën e jashtme. Ne dëshirojmë që të mbajmë të ndezur dashurinë e kësaj diaspore për dheun mëmë. Një sfidë e madhe është të ndihmojmë Kosovën që të njihet ndërkombëtarisht, jam i sigurt që ju do të na ndihmoni edhe për këtë objektiv” vlerësoi kryediplomati shqiptar rolin e tyre. “Imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë dhe shqiptarëve ka të bëjë me njohjen më të mirë të vlerave të natyrës, të trashëgimisë kulturore, të pasurive materiale dhe jomateriale të vendit, të tolerancës tonë etnike dhe fetare të mikpritjes dhe zemërgjerësisë të mishëruara edhe në jetën e veprën e personaliteteve të spikatura shqiptare, të letrave, të shkencës e humanizimit dhe ndihma juaj në këtë drejtim do të jetë e paçmuar” vazhdoi Haxhinasto.

“Shqipëria është një vend që ofron mundësi për të gjithë popujt e rajonit tonë edhe më gjerë, duke u shndërruar në faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti . Duke çmuar punën e gjithë secilit prej jush në vendet ku jetoni, si dhe duke ju konsideruar si një pjesë përbërëse të trupit diplomatik kudo në botë do t’ju ftoja të bashkëpunonim më tej në mënyrë që t’i tregojmë botës realitetin e ri shqiptar”, tha Haxhinasto.

“Organizimi gjithashtu i veprimtarive me përfaqësues të botës ekonomike dhe financave në vendet ku ju jetoni për njohjen dhe prezantimin e vlerave dhe potencialeve të ekonomisë shqiptare është një objektiv shumë i rëndësishëm i përbashkët midis nesh”, theksoi Haxhinasto duke shtuar se në këtë përpjekje Konsujt e nderit do të kenë mbështetjen e ministrisë së Jashtme, por dhe të institucioneve të tjera të shtetit shqiptar dhe qeverisë shqiptare.

Ministri i Jashtëm Haxhinasto kujtoi gjithashtu se, “viti i ardhshëm është 100 vjetori i shpalljes së pavarësisë dhe i krijimit të shtetit të ri shqiptar. Ky vit jubilar do të jetë një mundësi për të festuar të gjithë së bashku dhe për të promovuar më të mirën e asaj që përfaqësojmë bashkërisht, Shqipërinë dhe shqiptarizmin”.
“Ju do të jeni pjesë e gëzimit tonë, ju ftoj të angazhohemi së bashku për të realizuar me sukses këtë sipërmarrje të jashtëzakonshme”, përfundoi ministri Haxhinasto.
Dyzet konsuj nderi të Shqipërisë nëpër botë, nga të cilët gjashtë vetëm në Itali, kanë si mision promovimin e vendit tonë, forcimin e lidhjeve kulturore, rritjen e shkëmbimeve ekonomike, mes Shqipërisë dhe vendit të cilit i përkasin.

28 nëntor 1912-2011

Presidenti Topi në Vlorë, nderime babait të Kombit, Ismail Qemali