Falë thatësirës së zgjatur rrënojat e para të Kukësit të vjetër kanë dalë mbi sipërfaqe, duke ngjallur dhe nostalgjinë e ish-banorëve
Si asnjëherë tjetër, reshjet e para të dimrit kanë nisur kaq vonë në zonën verilindore, vetëm më 6 dhjetor, reshje që vazhduan disa orë të shoqëruara me erëra të forta e stuhi. Por, zgjatën pak, vetëm disa orë.
Këto reshje nuk kanë ndryshuar ndonjë gjë në prurjet e ujërave në liqenin e Fierzës. Edhe pse hidrocentrali nuk punon, rrënojat e para të Kukësit të vjetër, apo të hyrjes së tij, kanë dalë mbi sipërfaqe, duke ngjallur dhe nostalgjinë e ish- banorëve. “Deri tani kanë dalë disa rrënoja të ish-magazinave të tregtisë në periferi të qytetit, por edhe pak rrënoja nga mjediset e brendshme të qytetit”, tregon për ATSh-në një prej ish- banorëve të qytetit të vjetër, 65-vjecari Ramazan Demiri. Janë rrënoja që kanë dalë prej më shumë se një jave. Dhe kur dihet se Kukësi i vjetër kishte godinën më të lartë 3- katëshe, një hotel në qendër të qytetit dhe pranë ish- komitetit ekzekutiv e pranë monumentit të Skënderbeut të Odise Paskalit i vendosur në qytetin e Kukësit në shtatorin e vitit 1939. Tashmë hidrocentrali nuk punon, gjë që ka bërë që edhe pse prurjet janë rreth 35 metër kub ujë në sekondë, të mos rritet niveli i liqenit.
Liqeni i Fierzës ka një gjatësi prej 70 kilometrash dhe shtrihet përgjatë brigjeve të lumejve Drini i Bardhë, Drini i Zi dhe të Drinit të Bashkuar, me një sipërfaqe prej 7 mijë ha. Kapaciteti maksimal ujëmbajtës i liqenit arrin në rreth 3,2 miliardë metra kub ujë në nivelin e 296 metër mbi nivelin e detit, që është niveli maksimal i liqenit të Fierzës. Ndërsa 1,2 miliardë metra kub ujë të liqenit janë të pashfrytëzueshme për prodhim energjie pasi ndodhen nën të ashtuquajturën pikë e vdekjes që ndodhet në nivelin e 242 metrave mbi nivelin e detit.
Liqeni I Fierzës është nyje lidhëse për banorët e rretheve të Kukësit, Hasit, Tropojës dhe Pukës. Liqeni shërben edhe si rregullator i furnizimit me ujë për dy hidrocentralet e tjera të ngritura në kaskadën e Drinit, atë të Vaut të Dejës dhe Komanit. Tashmë niveli I liqenit ka rënë ndjeshëm, aq sa shihen dy lumenjtë e Drinit që në afërsi të qytetit derdhen në liqenin e Fierzës.
Pavarësisht luhatjeve të nivelit të ujërave të liqenit gjatë viteve ’80 rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit nuk dolën asnjëherë mbi sipërfaqe. Jo vetëm për shkak se dimri ishte me reshje të shumta, gjë që e mbante liqenin të mbushur, por edhe të shpenzimit relative të energjisë. Kështu vazhdoi edhe në fillim të viteve ’90, ndërsa filloi rritja e ndjeshme e shpenzimit të energjisë. Kjo gjë solli edhe fillimin e mungesës së energjisë, me gjithë përpjekjet për rritjen e prodhimit të energjisë.
Rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit dolën për herë të parë në sipërfaqe në vitin 1995. Ndërsa banorët për ditë me radhë, mbasditet i kalonin duke parë ato rrënoja mes të cilave përpiqeshin të dallonin çfarë kishin lënë kur ishin larguar. Por, pas afro një muaji rrënojat u mbuluan sërish nga uji. Gjithçka u kthye si më parë. Por për kuksianët rrënojat do të dukeshin sërish, madje më të qarta e për më shumë kohë.
Ishte viti 1998, fillimi I gushtit, kur nisën të dilnin rrënojat në sipërfaqe. Brenda pak ditëve qyteti i Kukësit të vjetër doli i gjithi mbi sipërfaqen e ujit. Aq sa për pak ditë edhe nisi të thahej e t’u lejonte banorëve të vizitonin rrënojat e banesave të tyre. Atë verë shumë prej banorëve të qytetit vizituan rrënojat e banesave të tyre, bënë fotografi për t’I mbajtur si kujtim, ndërkohë që të rinjtë organizuan edhe piknikë. “Kemi kaluar një drekë të paharruar me shokët në qytetin e vjetër. Bile kemi qëndruar mu në rrënojat e shtëpisë”, thotë Selim Elezi, ndër banorët e fundit që është larguar nga qyteti i Kukësit në vjeshtën e vitit 1977.
Pas këtij viti daljet në sipërfaqe e rrënojave të qytetit kanë qenë të shpeshta. Në vitet 2000-2003 rrënojat e qytetit dilnin në sipërfaqe çdo verë. Ishin vite të rënda për furnizimin me energji elektrike të zonës verilindore, e cila furnizohej me energji vetëm për rreth 8 orë në ditë. Kjo detyroi qeverinë që, për të furnizuar me energji spitalin e qytetit të Kukësit të ndërtonte një linjë e veçantë për spitalin civil, prej së cilës merrnin furnizim me energji elektrike edhe komisariati i policisë, prefektura, bashkia e këshilli i qarkut. Kjo gjë u realizua me një fondi prej 17,2 milion lekësh. Në verën e vitit 2005 ka qenë hera e fundit që dolën në sipërfaqe rrënojat e Kukësit të vjetër.
Pas atij viti rrënojat e para të qytetit po dalin këtë dimër si rrjedhojë e mungesës për shumë muaj të reshjeve. (ATSh)