Me rastin e festave të fundvitit, Ambasada e Kosovës organizoi koncert të një trioje muzikantësh të rinj nga Kosova dhe Shqipëria
Romë, 15 dhjetor 2011 – Në mbrëmjen e 13 dhjetorit 2011, në ambientet e Kishës së Shën Injac Lojolës, pjesë e kompleksit të rendit Jezuit, në zonën historike të Romës, është mbajtur koncerti i muzikës klasike. Koncerti u organizua nën patronatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë.
Në koncert luajti një trio muzikantësh të rinj nga Kosova dhe Shqipëria. Artemida Qarri, në piano forte, Ardiana Bytyqi, mexosoprano dhe Adorel Haxhiaj në violonçelo.
Ata interpretuan pjesë nga repertori i muzikës klasike të periudhës së festave të fundvitit si dhe pjesë nga repertori i muzikës klasike shqiptare, si: Margello, Agimet, Rondo, Adetes Fideles, Nina nana etj.
Koncertin e hapi Ambasadori i Republikës së Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, duke u uruar të pranishmëve festat e fundvitit dhe një mbrëmje të këndshme kulturore me tonet origjinale që vijnë nga zemra e Kosovës. Në koncert ishin të ftuar, mes të tjerësh, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar pranë shtetit italian, pranë Selisë së Shenjtë, si dhe miq të Ambasadës, të cilët pritën me duartrokitje dhe ovacione interpretimet e trios.
{gallery}koncert-13dhjetor{/gallery}