Andrea Gebbeken, drejtoresha ekzekutive e Tirana International Airport: “Rezultat i shkëlqyer, që e ka zanafillën e saj që prej liberalizimit të vizave”
Tiranë, 20 dhjetor 2011 – Aeroporti “Nënë Tereza” ka regjistruar një rritje prej 16,7% të trafikut të pasagjerëve gjatë nëntë muajve të vitit 2011, me një total prej 1,4 milionë personash që kanë kaluar përmes portave të tij. Aeroporti ka regjistruar 17.652 lëvizje në trafikun ajror, me një rritje prej 9% në krahasim me vitin e shkuar, lexohet në një komunikatë për shtyp të TIA-s
Fluksi më i madh në pasagjerë dhe numër fluturimesh është ai që lidh Rinasin me aeroportet e ndryshme të Italisë siç tregon fakti që linjat ajrore të cilat kanë shënuar fluksin më të madh të pasagjerëve janë: Belleair (45,8%), Albanian Airlines (10%)dhe Alitalia (8,5%%). Ndjekin Austrian Airlines (6,4%) dhe Turkish Airlines (3,6%). Ndërkohë edhe linja loë-cost JetAir që, nga qershori ofron fluturime mes Rinasit dhe Brukselit dy herë në javë, ka nisur të përforcojë tregun e saj. Aktualisht janë 13 linja ajrore që fluturojnë për në Shqipëri dhe jashtë saj, duke e lidhur kryeqytetin shqiptar direkt me 30 destinacione.
Këtë rezultat, Andrea Gebbeken, drejtoresha ekzekutive e Tirana International Airport (TIA), e komentoi si “të shkëlqyer”, duke mbajtur parasysh edhe rritjen e vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Hovin e veçantë të këtij viti ajo e lidh ngushtë me liberalizimin e vizave. “Viti që po lëmë pas ka qenë shumë i suksesshëm për TIA-n, i mbështetur ky dhe në arritjet e viteve paraardhëse. Ne shënuam një rritje mbresëlënëse në udhëtarë dhe Trafik ajror, kryesisht si rrjedhojë e liberalizimit të vizave” është shprehur ajo.