in

Moody’s dhe S&P: “Shqipëria e qëndrueshme. Ka bërë progres por ka akoma nivel të ulët”

Dy kompanitë më prestigjioze të vlerësimit të profilit të riskut të letrave me vlerë të qeverive, vlerësojnë Shqipërinë njësoj si vjet. Vlerësimi për Shqipërinë mbetet konstant, kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit të profilit të riskut

Tiranë 25 dhjetor 2011 – Dy kompanitë më prestigjioze të vlerësimit të profilit të riskut të letrave me vlerë të qeverive, Mood’s Investors Service (Moody’s) dhe Standard and Poor’s (S&P) në raportin e tyre më të fundit të vlerësimit periodik mbi Shqipërinë rikonfirmojnë vlerësimin e tyre të njëjtë për Shqipërinë (B1 nga Moody’s dhe B+ nga S&P), si dhe këndvështrimin e tyre afatmesëm si “e qëndrueshme” për ekonominë shqiptare. I njëjti pozicion që është mbajtur edhe vitin e kaluar.

Në në një raport për Shqipërinë të Moody’s, korporatës për vlerësimin e kapitalit global dhe vlerësimin e kreditimit, thuhet se ky vlerësim ka ardhur nga reflektimi i forcës së vogël ekonomike, institucionale dhe qeverisëse. Rreziku për ekonominë shqiptare, thuhet në raportin e Moody’s është mesatar.

 “Shqipëria ka bërë progres domethënës në rritjen ekonomike dhe forcimin e institucioneve që prej viteve 1990, megjithëse mbeten ende në nivele shumë të ulëta”, thekson raporti.

Nivelet kryesore të vlerësimit të kreditimit janë: Aaa, Aa, A, Baa, Ba (B1 nivel me të cilin vlerësohet Shqipëri), B dhe Caa. SHBA që pas krizës së borxhit publik u ul nga Aaa në Aa+. Aktualisht në nivelin më të lartë të besimit për kreditim mbetet Britania e Madhe.  

Burime zyrtare të Ministrisë së Financave bënë të ditur se kompanitë e vlerësimit të riskut pas analizës së bërë mbi situatën ekonomike të rajonit dhe më gjerë, theksojnë se ndryshe nga vendet e rajonit, Shqipëria ka treguar një rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelin e 4% në vitet e fundit. 

Përveç rritjes ekonomike të viteve të fundit, sipas MF-së, kompanitë vlerësojnë veçanërisht potencialin e ekonomisë shqiptare për të pasur rritje të qëndrueshme dhe të lartë në vitet në vijim, konsolidimin e vazhdueshëm fiskal me uljen në nivelin e 3%-shit të deficitit, si dhe seriozitetin e qeverisë për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik.

Moody’s dhe S&P vlerësojnë më tej dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar si likuid, i mirëkapitalizuar dhe me rritje të vazhdueshme të depozitave. Lidhur me të ardhmen europiane të vendit, bëhet e ditur se kompanitë e vlerësimit të riskut çmojnë potencialin e Shqipërisë për të marrë së afërmi statusin e vendit kanditat, faktor që nëse kombinohet me uljen e raportit të borxhit ndaj prodhimit të brendshëm, si dhe me zbutjen e rrezikut të jashtëm financiar, mund të sjellin rritjen në një nivel më të lartë të vlerësimit të riskut (uljen e perceptimit të riskut) sovran të Shqipërisë. 

Në këtë mënyrë, të dyja kompanitë, kanë vlerësuar si të qëndrueshme dhe me potencial të fortë rritjeje ekonominë shqiptare, duke konfirmuar suksesin e reformave të qeverisë. “Ky vlerësim vjen në një kohë kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit të profilit të riskut, apo minimalisht me përkeqësim të këndvështrimit të prospekteve afatmesme të tyre nga “stable” në “negative“.

Këto dy opinione përbëjnë për Ministrinë e Financave dhe urimin më të mirë që vjen nga analistët ekonomike ndërkombëtarë për festat e fundvitit”, thanë burimet.

 

Porti i Durrësit. Dy kalata për anijet e Kroçerave turistike

Rreh e përpiqet ta hedhë nga dritarja partneren shtatzënë