in

Papa Benedikti XVI, mesazh urimi presidentit Topi me rastin e ditës së Paqes

Papa për të rinjtë: “Me entuziazmin dhe idealizmin, mund të ofrojnë një shpresë të re për botën”

Romë, 28 dhjetor 2011 – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori sot një mesazh nga Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI me rastin e Ditës Botërore të Paqes, e cila do të festohet më 1 janar 2012.

Nunci Apostolik në Shqipëri, Arqipeshkv Ramiro Moliner Inglés i dorëzoi Kryetarit të Shtetit shqiptar në prag të Vitit të Ri mesazhin papnor, që hapet me këto fjalë: “Fillimi i Vitit të Ri, dhuratë kjo e Hyjit për njerëzimin, më nxit t’u drejtoj të gjithëve, me besim dhe dashuri të madhe, një urim të veçantë për kohën që kemi përpara, me qëllim që ajo të jetë konkretisht e udhëhequr nga drejtësia dhe paqja”.

Më tej, Ati i Shenjtë u drejtohet para së gjithash të rinjve, duke u përcjellë mesazhin e “një perspektive edukuese” me bindjen se ata “me entuziazmin dhe idealizmin e tyre, mund të ofrojnë një shpresë të re për botën. Duhet t’u kumtohet të rinjve vlerësimi dhe vlera pozitive e jetës, për të ngjallur tek ata dëshirën për ta përdorur jetën në shërbim të së mirës”.

Mesazhi  i Papës u drejtohet “edhe prindërve, familjeve, të gjithë atyre që janë angazhuar në fushën edukuese, formuese, si dhe përgjegjësive në sfera të ndryshme të jetës fetare, shoqërore, politike, ekonomike, kulturore dhe të komunikimit”. 
“Në detyrën për të edukuar të rinjtë për drejtësinë e paqes, të gjithë jemi të angazhuar personalisht”, thekson Ati i Shenjtë.

Papa Benedikti XVI e mbyll mesazhin e tij duke i shprehur Presidentit Topi “urimet më të mira për paqe dhe përparim për Vitin e Ri 2012, vit në të cilin Shqipëria do të kremtojë 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj”.

Maqedonia ngre këshillin organizativ për 100-vjetorin e Ditës së Flamurit

Llogoraja e zbardhur nga dëbora, në pritje të Vitit të Ri