2011-a ishte një vit i vështirë për Shqipërinë. Nisi me 21 janarin e përfundoi me refuzimin për të dytën herë të statusit të vendit kandidat në BE
Viti 2011 nisi duke trashëguar tensionin e rënduar politik, i cili shpërtheu më 21 janar kur në bulevardin kryesor të Tiranës, katër manifestues të opozitës mbetën të vrarë pas përplasjeve me policinë.
Publikimi i bisedës Meta prifti, kish qenë vetëm fitili që e ndezi një situatë të tillë. Zgjedhjet e 8 majit u shfaqën sërish me probleme. Në Tiranë kandidati demokrat Lulëzim Basha mori drejtimin e Bashkisë pas një procesi të gjatë e shumë të debatuara. Të gjithë këta elementë nuk bënë gjë tjetër veçse e penguan procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat e BE. Brukseli i refuzoi për herë të dytë statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Vetëm në fund të vjeshtës shumica dhe opozita do të arrijnë një marrëveshje. Në 2012 mbetet për t’u parë se sa jetëgjatë do të jetë kjo marrëveshje mes tyre.
Video Meta-Prifti
Ekzistenca e videos e cila do të publikohej nga Top Channel mbrëmjen e 11 janarit kishte kohë që pëshpëritej. E regjistruar nga vetë ish ministri i Ekonomisë në zyrën e tij, ajo do të përbënte një akuzë të fortë publike për zëvendëskryeministrin Ilir Meta që kish zënë po atë zyrë prej disa muajsh.
Në bisedë do të përmenden përqindje apo shifra për 700 mijë euro që sipas zotit Prifti i ishin ofruar në këmbim të një licence hidrocentrali. Zoti Meta do të shfaqet të nesërmen i qeshur duke folur për shantazhe që kishin nisur me kohë ndaj tij. Lidhur me shifrat e përmendura në bisedë ai tha se ishte dëmi që i ishte krijuar kompanisë nga mohimi i licencës dhe se nuk shihte arsye për të dhënë dorëheqjen: “Unë do ta jap dorëheqjen, e kam premtuar, por më 28 qershor 2013”, deklaroi ai.
Por në fakt nuk u desh të priten dy vjet, por vetëm dy ditë: “Jap dorëheqjen nga detyrat qeveritare”, tha zoti Meta nga selia e partisë së tij.
Reagimi do të jetë i fortë nga partia socialiste: “Është e padrejtë të thuhet se në atë episod të neveritshëm pazarllëku ishte vetëm Ilir Meta. Sot mund të thuhet pa asnjë dyshim se aty ishte dhe Saliu dora vetë”.
Por kryeministri në mbledhjen e qeverisë atë ditë nuk do e përmend fare çështjen, ndërsa reagimi do vijë nga selia e partisë ku kryetari socialist do të akuzohet për manipulimin e videos. Kryeministri do t’i qëndrojë në krah zotit Meta. Ndërsa kryetari socialist do të shprehej se me situatën e krijuar ishin kushtet “për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjidhjen e re politike që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja”.
Por kryeministri do të bëjë vetëm zëvendësime me njerëzit e LSI pa i prekur postet e dhëna kësaj partie. Deklaratat dhe akuzat e ndërsjella do të vazhdojnë për disa ditë, por ato do të kulmojnë në sallën e parlamentit më 17 Janar.
Prokuroria ndërkohë nisi menjëherë hetimet. Më 11 shkurt u kërkua heqja e imunitetit për zotin Meta por edhe për deputetin Prifti, në kompjuterin personal të të cilit është gjendur edhe një video tjetër ku ai shihet të ndajë me ish zëvendësministrin Leonard Beqiraj një shumë prej 70 mijë eurosh.
Më 10 maj dosja shkon në gjykatën e lartë. Ish zëvendëskryeministri Meta akuzohet për “korrupsion aktiv dhe abuzim me detyrën”. Për hetimet do të angazhohen edhe dy ekspertë të huaj, sipas të cilëve “video nuk është e manipuluar”. Por ky vlerësim, pika e fortë e prokurorisë, do të rrëzohet në seancat e para të procesit i cili nis në Korrik. Kjo përbën dhe kthesën e fortë të një procesi ku në lojë është dhe besueshmëria e bjerrë e Drejtësisë. Më 16 shtator caktohen tre ekspertë të rinj, shqiptarë, e kaluara profesionale e të cilëve, sipas shtypit, linte shumë për të dëshiruar. Ata do të deklarojnë se ka mundësi të mëdha ndërhyrjeje ne materialin video. Ndërsa përveç zotit Prifti, dëshmitarët e tjerë, biznesmenët e lidhur me çështjet për të cilat bisedohet në materialin video, do të mohojnë çdo variant ryshfeti apo ndarje përqindjesh.