in

Erisa. Stilistja shqiptare mes Armanit dhe Xhubletës

Erisa Ibrahimi. Në fotot e tjera, çaste nga sfilatat me veshjet e saj
Shumëkush do të besonte se Erisa Ibrahimi ka hyrë në botën e modës si modele. Por 23-vjeçarja shqiptare ka ardhur përpara tetë vjetësh në Padova me dëshirën e madhe për t’u bërë stiliste, e me sa duket, me pasion dhe talent, po i afrohet realizimit të ëndrrës e saj. Vjet ka fituar çmimin e dytë në  Konkursin Kombëtar për Stilistët e Rinj Futuristë, të organizuar në Cassino. E pikërisht me një konkurs stilistësh, të organizuar nga Top-Channel, Erisa ka hedhur hapat e parë edhe në Shqipëri. Megjithëse nuk doli fitimtare, ajo pjesëmarrje i shtoi këmbënguljen për të vazhduar në rrugën e saj në botën e modës.

Një vëlla i saj që jetonte në Padova vendosi të ndihmonte motrën e vogël  dhe u interesua për një shkollë të mesme mode. Kështu në vitin 2004 bashkë me të ëmën, Erisa vjen dhe menjëherë regjistrohet në shkollën e mesme profesionale Usuelli Ruzza. Pas diplomës si Teknike veshjesh dhe mode, Erisa sot vazhdon studimet e larta – në vit të fundit – në DAMS ku po diplomohet në Kultura Teknologjike të Modës me temën “Albanian Folk Fashion: Xhubleta”.

Shqiptari i Italisë: Kur jeni afruar me botën e modës?

Erisa Ibrahimi: Moda për mua ka qenë pasioni i përhershëm. Që në fëmijëri,  që kur isha në kopsht merrja fustanet e mamit dhe i transformoja komplet, merrja gërshërën fshehurazi dhe filloja punën. I transformoja vetëm në fantazinë time, natyrisht, nuk ia prisja. Kur isha në klasë të parë me fletoret me ngjyra, në vend që të prisja format e germave e numrave, unë vizatoja e prisja forma fustanesh. Pastaj në klasë të shtatë apo të tetë  fillova të ekspozoja e të bëja sfilata kukullash në shkollë ose te pallati i kulturës në qytetin e vendlindjes në Lezhë, me veshje popullore që shikoja nëpër filma shqiptarë dhe i imitoja.

Ju pëlqejnë elementë shqiptarë akoma sot?

Më pëlqen shumë t’i personalizoj veshjet e mia edhe duke ruajtur gjurmë të origjinës sime, duke u dhënë diçka të stilit të veshjeve popullore shqiptare që kanë një varietet të gjera nga jugu në veri, duke marrë elementë nga veshjet tona tradicionale e duke i sjelle në ditët e sotme apo drejt së ardhmes. Veshja ime e preferuar shqiptare është xhubleta veshje shumë e veçante, me vlera të mëdha artistike e përpunimi që është përdorur në veri të Shqipërisë që nga Shkodra deri në Malësi. Sipas studiuesve, është një ndër veshjet më të vjetra në botë e mbetur ende gjallë, ka ngjashmëri me veshjet e popullit Maya, dhe pritet të mbrohet nga UNESCO. 

Vjet jeni vlerësuar me çmim të dytë në konkursin “Concorso Nazionale Per Giovani Stilisti Futuristi”. Me ç’veshje u paraqitët?

Në mars të vitit të shkuar mora pjesë në konkursin për stilista të rinj, në të cilin, para natës finale u bënë disa përzgjedhje paraprake nga një juri me stilistë, art director, skenografë të modës, fotografë.  Nga e gjithë Italia u paraqitën 75 konkurrentë dhe u pranuan 30, dhe nga këta 10 arritën në finale. U vlerësova me çmim të dytë, gjë që më dha mundësinë të kem kontakte me stilistë si Fabrizio Crispino i cili është drejtor i Akademisë së Luksit në Napoli dhe ka gjithashtu linjën e tij të modës “Alta Moda Milano”.

Tema e konkursit ishte Fustane Mbrëmjeje dhe duhej të frymëzoheshe nga një periudhë historike e veçantë. Unë  u paraqita me temën “Transparent/Nude look” të viteve 60 dhe përdora materiale si chiffon di seta (lloj i mëndafshit shumë cilësor, i çmuar dhe delikat: është i hollë dhe i tejdukshëm) të ndërthurur me pjesë të bëra me grep me fije ari. Veshjet ishin të stilit elegant ku krijohej efekti “shoh e nuk shoh”. Qëllimi im ishte të nxirrja në dukje një femër të pavarur, të lirë dhe elegante, dhe në të njëjtën kohë, të fortë dhe sensuale. Kështu përfaqësoheshin gratë në vitet 60 me “revolucionin e grave”, gjë që për të gjithë stilistët ishte domethënëse. Duke qenë se moda shihej si status simbol i personit, në koleksionet e tyre zunë vend minifundet  për shembull. Dhe një ndër stilistët më të rinj e të shquar në ato vite ishte Yves Saint Laurent. Për t’iu kthyer konkursit, koleksioni  im (në të vërtetë një minikoleksion) përbëhej prej 5 fustanesh. Për mua edhe vetëm pjesëmarrja në konkurs ishte shumë e rëndësishme, sepse ishte hera parë që merrja pjesë në një konkurs në shkallë kombëtare në Itali. Le pastaj, vlerësimi me çmimin e dytë!

Si vendosët të vini në Itali?

Në moshën 15-vjeçare u transferova nga Lezha në Tiranë me familjen dhemenjëherë mora pjesë në konkursin e parë për stilistë që organizonte emisioni televiziv Good morning Albania në Top Channel dhe aty ishin disa faza përzgjedhjesh. Kalova deri në finale por nuk mora çmimin e parë që të jepte mundësinë e një burse studimi për institutin e vetëm të modës që ekzistonte atëherë (2004 ) në Shqipëri, SIPAM AB . Mora pjesë me 5 veshje nga të cilat tre ishin moderne me motive popullore. Veshjet e mia i publikuan dhe tek revista Trend;  meqë të gjithëve iu botua nga një veshje ndërsa mua tre, isha super entuziaste. E megjithatë nuk fitova. Ndërkohë,  im vëlla jetonte në Itali, në Padova, dhe u interesua nëse kishte shkollë mode ku mund të studioja për degën që më pëlqente. Për fat të mirë në Padova kishte, kështu që u nisa me mamin, pa hezituar. E gjithë kjo as një muaj pas konkursit në Top Channel.

Kështu, u regjistrova drejtpërdrejt në vit të dytë, pasi bëra disa provime pranimi, në shkollën profesionale për industrinë dhe artizanatin “Usuelli Ruzza” të Padovës, në degën “tecnico abbigliamento e moda”  ku mora diplomën e 3 viteve (diplomë e kualifikimit profesional për Operator të Modës) dhe pastaj diplomën e maturës si Teknike e Veshjeve dhe e Modës.

Aktualisht jam në vit të tretë në universitet. Studioj në Akademinë e Disiplinave të artit, muzikës dhe spektaklit (DAMS) në degën e kulturave teknologjike të modës. Jam në fazën e fundit, atë të diplomimit e do të mbroj tezën me temë “Albanian Folk Fashion: Xhubleta”.

Keni vendosur të vini në vendin e modës, të stilistëve të famshëm si Armani, Valentino, Versace etj. Cilët janë idhujt tuaj e cili është stili juaj?

E vërtetë, Italia është vendi i modës, ku kanë lindur mjeshtrit e mëdhenj të modës e të stilit që vlerësohen në mbarë botën. Idhujt e mi janë Giorgio Armani, Missoni, Ferragamo etj. Ndërsa nga moda ndërkombëtare më pëlqen e madhërishmja Chanel, por edhe Vivienne Westwood, Mary Quant, Jean-Paul Gaultier, Elie Saab, Hussein Calayan, sa për të përmendur disa.

Radhita të parin Armanin sepse stili im frymëzohet prej tij. Në përgjithësi dua që veshjet që bëj të dallohen për elegancë dhe të jenë klasike. Më pëlqen që çdo veshje të nxjerrë në pah jo vetëm cilësitë e trupit por edhe të shpirtit duke i dhënë një shije artistike.

Mua me pëlqen shumë arti. Frymëzohem edhe nga pikturat e Raffaellos, Leonardos, Piero della Francesca Mantegna të Rinashimentos apo nga bashkëkohorët Salvador Dalì, Klimt, Robert e Sonia Delaunay etj.

A keni pasur këtu në Itali eksperienca pune në ndonjë ndërmarrje?

Për fat të mirë, shkolla që kam frekuentuar më ka dhënë mundësinë edhe te punoj, të bëj praktikën pranë  firmave të rëndësishme në sektorin e modës si Benetton apo shtepia e modes ModeMania që realizon veshje me cilësi të lartë artistike e artizanale. Kam marrë pjesë në panaire të ndryshme të modës në Milano, Verona, Venecia si skenografe sfilatash apo total look stilist.

A bëni sfilata me koleksionet tuaja?

Kam organizuar disa sfilita. Edhe në bashkëpunim me shkollën që kam ndjekur. Më e fundit ishte në qendër të Padoves, ne Pallatin Morroni. Gjithashtu kam organizuar sfilata me veshje të frymëzuara nga veshjet tradicionale shqiptare të qyteteve të ndryshme në bashkëpunim me organizatën Red Family në Padova, Trento, Rovereto, me rastin e 28 nëntorit apo të 1 majit.

Qepni privatisht? Keni një klientelë tuajën? Çfarë ju porosisin?

Gjatë këtyre viteve studimesh, paralelisht kam krijuar një miniklientelë timen kryesisht me të njohura që jetojnë në Padova. Realizoj veshje sipas kërkesave e rasteve për të cilat shërbejnë. Më  të shpeshtat janë kërkesat veshjesh për mbrëmje me tema të ndryshme. E puna ime shkon nga këshillimi për copën që duhet, në paraqitjen e modelit e deri në qepjen e veshjes.

E ndiqni botën e modës në Shqipëri? Çfarë mendoni për stilistët shqiptarë?

Më  pëlqen shumë të studioj modën në të gjitha shtetet në përgjithësi, dhe i kushtoj vëmendje të veçantë natyrisht Shqipërisë, pasi mundohem të kuptoj edhe nëse kam ndonjë të ardhme atje. Vitet e fundit në Shqipëri shiten shumë firma të huaja apo të tjera si Cotonella prodhohen aty. Gjithashtu është zhvilluar edhe moda e brendshme shqiptare.  Kam pasur rastin të shikoj emisione, të lexoj revista mode apo të konsultoj faqe online për stilistë shqiptarë si Rezarta Skifteri, Joni Peçi, Enada Adnikolla, Jona Muça. Ndoshta jam pak kritike por besoj që  stilistët shqiptarë nuk kanë krijuar akoma një stil të tyrin që të ketë bërë “revolucion”, bujë. Unë mendoj që ata thjesht ndjekin modën botërore, ezekutojnë një modë në bazë të kërkesave të klientëve të tyre, por pa u përpjekur të krijojnë një stil të tyrin. Unë mendoj se moda shqiptare ka nevojë për  një  frymë novatore, të veçantë, që të shkaktojë habi, kureshtje, me një fjalë të ketë një stil të veçantë.

Diçka tjetër, që për mendimin tim duhet përmirësuar, janë revistat e modës që nuk duhet të jenë vetëm ilustruese të koleksioneve të stilistëve për të cilat lexon vetëm  specifikimin e stinës, emrin e stilistit dhe të modeles. Ato duhet të trajtojnë edhe përse-të e një koleksioni, apo filozofinë e një veshjeje, apo mënyrën e realizimit.

Edhe në emisionet e konkurset e modës si “Albanian next top model” besoj që veshjet duhet të zgjidhen e të përshtaten me modelen dhe anasjelltas, gjithmonë duke pasur kujdes për të nxjerrë domethënien qe çdo veshje mban në vetvete.

Ku e shihni të ardhmen tuaj, në Shqipëri apo Itali?

Tani për tani në Itali, por pse jo, edhe diku tjetër në Europë. Synimi im është Parisi. Vjet ndoqa atje javën e modës.
Por kam dëshirë shumë të madhe për të bërë diçka edhe në Shqipëri, për t’i hapur vetes horizonte të reja. Gjithçka varet nga dëshira, vullneti im por edhe nga mundësitë që do të më krijohen.

Keti Biçoku

Durrës. Në nëntë ditët e para të vitit, mbi 25 mijë udhëtarë janë nisur drejt Italisë

Donazzan (Pdl): “Edhe unë do të kisha qëlluar mbi atë shqiptar”