in

Donazzan (Pdl): “Edhe unë do të kisha qëlluar mbi atë shqiptar”

Deklarata shokuese e drejtoreshës së drejtorisë krahinore për Arsimin, Elena Donazzan (PdL), mbi rastin e Dritan Çaushit të plagosur rëndë me pistoletë nga pensionisti Paolo Meneghetti

Romë, 10 janar 2012 – “Do të kisha vepruar njësoj si ai, e them si qytetare dhe si grua: do të kisha qëlluar mbi shqiptarin”. Është deklarata shokuese e drejtoreshës së drejtorisë së Arsimit të Venetos Elena Donazzan (PdL) e dhënë gjatë një konference shtypi dhe e sjellë në plan të parë të faqeve internet të gazetës “Il Mattino di Padova” për të shprehur solidaritetin e saj me Paolo Meneghettin, 68-vjeçari që të enjten në mbrëmje qëlloi me pistoletë 33-vjeçarin Dritan Çaushi, ish i fejuari i bashkëpunëtores së tij familjare që po i rrihte mikun Livio Marchiori, 72 vjeç. E ndërsa Meneghetti i akuzuar për tentativë vrasjeje është nën hetim, më 9 janar është lënë i lirë, Çaushi gjendet në repartin e rianimacionit në spitalin e Padovës.

Sipas “Il Mattino di Padova”, Donazzan është e idesë të nisë një fushatë në internet me sloganin “Unë jam me Meneghettin” sepse, sipas saj, “personat si pensionisti Meneghetti janë njerëz të mirë që duhen mbrojtur”.

I menjëhershëm reagimi i UdC-së, zëdhënësi i të cilës, deputeti Antonio De Poli, hedh poshtë deklaratat e eksponentes së PdL-s në Veneto: “Donazzan po flet si në Mesjetë, nuk mund të jepen sentenca nga turmat e zemëruara”. Madje ai i konsideron deklaratat e saj “nxitje të mirëfilltë për krime”.

“Ç’duhet të bëjnë padovanët sipas Donazzanit – vazhdon De Poli – të shëtisin të armatosur, të gatshëm të përdorin armët kundër “armiqve të mundshëm?”.

“Një gjë është t’i shprehësh solidaritetin pensionistit të Noventa Padovanës që mund të ketë vepruar për të mbrojtur mikun e tij, e tjetër gjë të justifikosh kë qëllon me armë. Nuk vë në diskutim nëse Meneghetti është apo jo njeri i mirë, por preferoj që sentencat t’i lëshojë drejtësia dhe të mos kërkohen nga turmat e zemëruara”.

Erisa. Stilistja shqiptare mes Armanit dhe Xhubletës

Nga sot gjoba më të rënda për shkelësit e rregullave të qarkullimit