in

Festivali Europian, Rona Nishliu përfaqëson Shqipërinë apo Kosovën?

Diskutimi në të cilin është përfshirë publiku europian ka të bëjë edhe me vendlindjen e Rona Nishliut. Ajo është këngëtarja e parë kosovare që ngjitet në skenën e Festivalit Europia, dhe pikërisht ky fakt ka ngjallur reagime negative për shkak të situatës politike mes Kosovës dhe disa vendeve pjesëmarrëse në “Eurosong” që ende nuk e njohin Kosovën shtet.

Kënga “Suus” e Rona Nishliut ka ngritur debate të shumta jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në faqen zyrtare të ‘Eurosong’-ut. Diskutimi nëse skena europiane kërkon më shumë këngë ritmike sesa balada e ka ndarë publikun në dy pjesë. Pas fitores në Festivalin e 50-të të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar me këngën “Suus” (“Personal” nga latinishtja), hyrja e Rona Nishliut në “Eurosong” hapi shumë debate në faqen online. Për këngën shqiptare pëlqimet dhe mospëlqimet janë thuajse të njëjta në numër, duke sugjeruar se publiku europian mbart mendime të ndryshme për këngën shqiptare. “Bazuar në opinionet e shikuesve duket se këndvështrimet për këngën kanë dy anë: pozitive dhe negative. Duket se një nga arsyet kryesore për ata që nuk e pëlqejnë këngën është për shkak të “ulërimave të herëpashershme”, ndërsa arsyeja që pjesa tjetër e pëlqen ka të bëjë me zërin mahnitës të këngëtares shqiptare”,- shkruhet në faqen zyrtare të “Eurosong”-ut. Diskutimi tjetër në të cilin është përfshirë publiku europian ka të bëjë me vendin e origjinës së Rona Nishliut, pasi ajo është këngëtarja e parë kosovare që ngjitet në skenën e Festivalit Europian. Pikërisht ky fakt ka ngjallur reagime negative për shkak të situatës politike mes Kosovës dhe disa vendeve europiane që kanë përfaqësuesit e tyre në “Eurosong” të cilat ende nuk e njohin Kosovën shtet. Për më tepër duket se Rona Nishliu ka një histori interesante lidhur më këtë. Rona u lind dhe rrit në Mitrovicë (zona e nxehtë mes Kosovës dhe Serbisë), por ajo dhe familja e saj u dëbuan që aty me fillimin e bombardimeve nga NATO ndaj Serbisë.

Shtoi kësaj faktin se Azerbajxhani ku mbahet këtë vit Festivali Europian i këngës dhe Serbia janë aleatë të ngushtë, sepse ashtu si Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës, edhe Azerbajxhani ka të njëjtin problem me zonën e Nagorni-Karabakut që ka armenë etnike. “Por, a duhet marrë parasysh në një festival këngës se nga vjen artisti?” – ngrihet pyetja në forumin e hapur të ‘Eurosong’-ut. Gjatë disa intervistave me muzikantë profesionistë propozimi i Shqipërisë u klasifikua si këngë unike, pikërisht një këngë për të cilën ‘Eurovizioni’ ka nevojë. Nga ana tjetër, publiku i gjerë i Festivalit Europian ka shfaqur tjetër mendim, por nëse marrim disa shembuj nga e kaluara, ka disa këngë që kanë qenë po aq unike sa “Suus”, si kënga e Lituanisë vitin e kaluar, e cila u klasifikua se nuk ishte një këngë e përkryer për publikun, por pavarësisht kësaj kënga arriti deri në finale të festivalit për shkak të vokalit mahnitës të këngëtares lituaneze, Evelina Sasenko. Kënga u rendit e 11-ta nga votimi publik dhe e para nga pikët e jurisë, duke e renditur këngën në fund në vendin e 5-të. Edhe pse Rona Nishliu ende nuk ka konfirmuar nëse kënga do të këndohet në shqip apo ajo do të ndryshojë në anglisht, një gjë është e sigurt, që suksesi apo mossuksesi i Ronës me “Suus” do të jetë në dorë të jurisë dhe publikut.

Përfaqësuesja e Spanjës: Këngëtarja shqiptare ka zë mahnitës

Ndërkohë që shumë vende pjesëmarrëse ende nuk kanë vendosur për përfaqësuesit e tyre në “Eurovizion”, këngëtarja spanjolle, Pastora Soler ka qenë ndër të parat që e fitoi biletën europiane. Ajo tashmë ka planifikuar turnetë në vende të ndryshme të Europës për të promovuar këngën spanjolle në “Eurosong”. Në intervistën e saj dhënë për faqen zyrtare të Festivalit, ajo ka shprehur vlerësimet e saj për këngën shqiptare, duke e konsideruar si një nga konkurrentet e forta të këtij kompeticioni. “Për mua është shumë e rëndësishme që publiku të vlerësojë këngën dhe vokalin tim, ashtu siç unë vlerësoj se këngëtarja shqiptare Rona Nishliu ka një zë mahnitës”, – shprehet Pastora Solar, e cila shumë shpejt do të ndërmarrë turne në vende të ndryshme europiane. Deri tani shtetet që kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre në “Eurovizion” janë Shqipëria, Spanja, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Qiproja, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Zvicra, ndërkohë që shumë vende të tjera pritet që deri në shkurt të kenë bërë përzgjedhjet e tyre.

Aida Tuci, Mapo

Lexo edhe: Nishliu: “Në Eurosong do të përfaqësoj dy shtete dhe një komb”

Ambasada përkujton Skënderbeun në Romë më 17 janar

The Economist: “Shqiptarët e Greqisë po kthehen në shtëpi”