in

“Specia” më e re e të larguarve

Kristi Pinderi, Shekulli
Nga shtypi shqiptar

Altin Stafa, 36 vjeç, u largua në vitin 1996 nga Tirana për të studiuar Mjekësi në Bolonja. Eshtë naive ta pyesësh pse u largua. “Për shkak të dëshirës për të ndërtuar të ardhmen profesionale në një kontekst universitar të një niveli më të lartë dhe për shkak të nevojës për t’u shpëtuar pasojave që mund të shkaktonte një sistem social i brishtë (pak muaj më pas erdhi ’97-a)”, mundohet të shpjegojë ai sot, arsyen pse iku atëherë.

Është naive ta pyesësh pse iku, por nuk është naive ta pyesësh se pse rivjen sot në Shqipëri! I lindur mes viteve ’70, Altini, sot doktor në spitalin kryesor të Bolonjës, e konsideron veten me fat. Thotë: “Si pothuajse gjithë brezi im, kalova fëmijëri të qetë e të mbrojtur”. Mirëpo në fillim të adoleshencës, që i përkoi me fillimin e viteve ‘90, rebelimi personal përkoi me atë që ai e quan “rebelimin historik të një populli të tërë”.  Mendon se “ndodh rrallë herë që adoleshenti të ndihet në sintoni të plotë e në të njëjtën valë mendimi dhe veprimi me një shoqëri të tërë: me një shoqëri si adoleshente, që kaosin, ëndrrat e projektuara larg dhe mungesën e përvojës i shndërroi për shumë kohë në mënyrë të jetuari”.

Në Shqipëri kishte studiuar dy vjet në Fakultetin e Mjekësisë, shkonte në Itali në një moment kur bashkatdhetarët e vet shfaqeshin sidomos nga media nën një frymë ksenofobe, por shton se kundërhelmi i ksenofobisë gjeneruar nga shembujt e kriminaliteti shqiptar në median italiane ishte sidomos ambienti kulturor dhe universitar ku ai u përshtat aq mirë sa përfundoi studimet me rezultatet maksimale. U specializua pas kësaj në Neuroradiologji diagnostikuese dhe ndërhyrëse, ndërsa në vitin 2008 zhvilloi një Master për organizimin dhe drejtimin e shërbimeve shëndetësore. Një sukses i vërtetë, duhet thënë, nga ato që shqiptarët i kanë me tepri kur nuk janë këtu, por që ne, për fat të keq, pak i njohim. Sot është mjek në Spitalin “Ospedale Maggiore” në Bologna dhe drejton Seksionin e Shkencave Mjekësore në Institutin Ndërkombëtar Alb-Shkenca. Është bashkautor i 2 kapitujve tekstesh universitare të Fakultetit të Mjekësisë në Itali dhe autor i rreth 50 punimeve të botuara në revista ndërkombëtare.

E takuam në një kafe në Tiranë ku shpjegoi se aktualisht është edhe drejtues i seksionit të Shkencave Mjekësore në Institutin Ndërkombëtar “Alb-Shkenca” dhe si i tillë po organizon një konferencë me të paktën 9 prej autoriteteve më të njohura botërore në mjekësi, e sociologji që do të flasin në Tiranë mbi etikën e mjekut.

Konferenca që Alb-Shkenca përmes Altinit po organizon, do të krijojë hapësirën e diskutimit për specialistë të nivelit më të lartë botëror në mjekësi, por dhe sociologji, për situatat e reja me të cilat po përballet mjekësia bashkëkohore të cilat gjenerojnë pyetje të reja etike: transplanti i organeve, përdorimi i energjisë rrezatuese në mjekësi (radiologji, radioterapi, etj), përdorimi masiv i teknologjisë në raportin mjek pacient, limiti etik i eksperimenteve dhe kërkimeve shkencore, dilemat etike në psikiatri dhe në hospitalizimin e forcuar të të sëmurëve mendore, etj.

“E vërteta etike e mjekësisë botërore”, thotë ai, “është zbuluar që para 2400 vjetësh, kur për herë të parë dhe para çdo profesioni tjetër, mjeku ndjeu nevojën e një kodi autodisipline: betimi i Hipokratit. Njeriu i sëmurë si epiqendër e mendimit dhe veprimit profesional, përpjekja e mjekut për ta ndihmuar pacientin pa e dëmtuar atë, respekti i ndërsjelltë mes kolegësh dhe nevoja për të ruajtur dinjitetin profesional. Janë këto “sekretet” që i mësohen studentit të mjekësisë në çdo universitet të botës, për ta përgatitur atë që kur të veshë bluzën e bardhë, të jetë në gjendje të kurojë me profesionalizëm pacientin e tij”. Pse një konferencë ku do të fliten të tilla parime zhvillohet në Tiranë, është gjithashtu një pyetje.

“Besoj nuk ka arsye pse t’u shpjegoj pse ne duam të sjellim më të mirët botërorë në Tiranë për të folur për etikën”, thotë Altini që më tej pohon se i ofrojnë vazhdimisht të punojë në Shqipëri, e që i refuzon herë pas here.  Altini ngjan kështu me një specie që po nis të shfaqet: i ri, i arsimuar, i suksesshëm në Evropë, që refuzon të rikthehet në atdhe, por që mund tashmë të kontribuojë edhe pa u kthyer. Një rast që duhet të ngushëllojë sidomos ata që duan të sjellin diçka në atdhe, por nuk janë gati të lënë gjithçka që kanë ndërtuar në botë.
 

Bogdani vesh fanellën e Sienës

Albana që diagnostikon me të parë