in

Borë dhe i ftohtë i acartë mbulon Shqipërinë. Vështirësi në qarkullimin rrugor

Akse të rëndësishme rrugore të bllokuara nga bora. Të bllokuara komunat e thella të Shkodrës. Tropoja e izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë dhe nga Kosova. Reshjet e vazhdueshme gjunjëzojnë Kukësin. Ortek në komunën Kelmend. Drejt normalizimit situata në Librazhd. Në Sarandë pezullohet lundrimi

Akse rrugore të bllokuara nga bora

Për shkak të kushteve që këqija meteorologjike disa nga akset kryesore rrugore vazhdojnë të jenë të bllokuara, apo të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Sipas njoftimit për shtyp nga Policia e Shtetit, në qarkun e Kukësit aksi B.Curri-Qafë Morinë dhe pjesa më e madhe e akseve të tjera janë të pakalueshme, ndërkohë që me zinxhir mund të kalohet në aksin Morinë – Kalimash, Kukës-Krumë dhe Kukës-Topojan.   

Në qarkun e Dibrës situata paraqitet më e lehtësuar, ku pjesa më e madhe e akseve kalohen me zinxhirë, ndërsa në qarkun e Shkodrës akset Fushë Arrës -Qafë Mali-Qafë Shllak, Bogë-Theth, Selcë-Vermosh, Qafë Mali-Dardhë-Fierz, Fushë Arrës-Iballë janë të pakalueshme.

Në qarkun e Lezhës, në të gjitha akset rrugore nacionale lëvizja e automjeteve është e kalueshme, ndërsa në qarkun e Tiranës, aksi në drejtim të Qafë Krrabës është i kalueshëm pa zinxhirë, ndërsa ai në drejtim të Dajtit është i kalueshëm me zinxhirë.

Në qarkun e Elbasanit i vetmi aks i bllokuar është ai Librazhd-Bulqizë, ndërsa në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja është normale. Në qarkun e Korçës aksi rrugor  Kapshticë – Korçë – Qafë Thanë është i  kalueshëm pa zinxhirë, ndërsa ai Boboshticë – Dardhë dhe Korçë – Voskopojë janë të kalueshme me zinxhirë.

Në qarkun e Beratit dhe të Gjirokastrës të gjitha akset rrugore kalohen pa zinxhirë. Ndërsa në qarkun e Vlorës, në segmentin rrugor Vlorë-Llogara lëvizja e automjeteve kryhet pa zinxhirë dhe në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja e mjeteve bëhet normalisht pa probleme.
Në pjesën më të madhe të zonave temperaturat sot kanë qenë më të ulëta dhe reshjet e dëborës vazhdojnë me më shumë intensitet, ndërkohë që po punohet për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës në akset rrugore.

Të bllokuara komunat e thella të Shkodrës

Edhe dita e diel e ka gjetur territorin e qarkut Shkodër me reshje dëbore. Me përjashtim të qytetit të Shkodrës, ku për momentin kanë pushuar reshjet e dëborës, por temperaturat janë të ulta, në dy rrethet e tjerë të këtij qarku, Malësi e Madhe dhe Pukë situata vazhdon të jetë problematike.
Prefektja e Shkodrës, Voltana Ademi, në një prononcim për ATSH-në, mëngjesin e sotëm, bëri të ditur se me gjithë punën që po bën Komisioni i Emergjencës Civile të prefekturës, situata në disa prej zonave të thella malore vazhdon të jetë problematike.      

Nga njoftimet më të fundit, përveç aksit rrugor Qafë Mali- Fierze dhe Qafë Mali-Shllak ku po punohet në kushte të vështira, pasi bora në disa zona arrin lartësinë mbi 3 meter, rrugët e tjera nacionale janë të kalueshme me zinxhire. Reshje debore vazhdojnë të bien edhe në zonën e komunës Kelmend, ku më problematike paraqitet situata në Vermosh, i cili vazhdon të jetë i bllokuar dhe po kështu edhe aksi rrugor Boge-Theth, i cili sistematikisht, gjatë periudhës së dimrit, qëndron i bllokuar.

Ndërkohë, akset nacionale Shkodër-Malësi e Madhe janë të kalueshme normalisht, përfshirë edhe atë, Shkodër- Hani i Hotit. Të kalueshme janë edhe akset rrugotre, Koplik – Dedaj – Razem – Boge ku kalohet normalisht. Normalitetit i janë rikthyer edhe akset rrugore të rrethit të Shkodrës, ku përveç rrugës së Komanit, të gjitha akset janë të lira, të kalueshme pa zinxhirë.
Tropoja e izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë dhe nga Kosova

Reshjet e vazhdueshme të dëborës  kanë sjellë bllokimin thuajse të plotë të rrethit të Tropojës nga pjesa tjetër e vendit.  Sipas nënprefektit, Nuredinn Ahmetaj, reshjet e borës janë të vazhdueshme aq sa në qytetin e Bajram Currit trashësia e dëborës  ka arritur në 1,2 metër. Në këtë situatë është bllokuar lëvizja e mjeteve edhe në aksin rrugor qafë Morinë – Bajram Curri – Fierzë. Për rihapjen e këtij aksi rrugor, që lidh rrethin e Tropojës me Kosovën, po punojnë  6 mjete, prej të cilave 4 borëpastruese.

Ndërkohë, është i bllokuar edhe aksi rrugor  Bajram Curri – Qafë Luzhë – Krumë. Në Qafë Luzhë trashësia e dëborës arrin në mbi 1,2 metër, ndërkohë që po të bllokuar nga dëbora janë edhe akset rrugore Bajram Curri – Valbonë dhe Bajram Curri – Lekbibaj.

Në kushtet kur reshjet e dëborës po vazhdojnë janë krejtësisht të izoluar komunat e Llugajt, Bujanit, Lekbibajt, Margegajt  dhe  Bytycit.  Për mbajtjen nën kontroll të situatës  po punohet pa ndërprerje  për rihapjen e akseve kryesore rrugore, ndërsa më e rëndë është situate për akset rrugore rurale që tashmë janë plotësisht të mbyllura.  

Ndërkohë situatë më e rënduar është në komunën e Lekbibajt, një zonë e izoluar prej ditësh ku janë shfaqur edhe kërkesa për ndihma ushqimore.

Në këtë situatë të rënduar furnizimi me energji elektrike vazhdon të jetë normal edhe për banorët e zonave më të thella. Defekteve energjetike që ndodhin, eliminohen brenda një kohe të shkurtër.

Reshjet e vazhdueshme gjunjëzojnë Kukësin

Vazhdimi i reshjeve të dëborës edhe gjatë orëve të natës dhe mëngjesin e sotëm, ka  përkeqësuar  më shumë situatën në akset rrugore të rrethit të Kukësit.      

Temperaturat e ulëta, që nga – 8  në  -1 gradë Celsius, kanë shkaktuar shtrirjen e shtresave të akullit në thuajse të gjitha akset rrugore të rrethit.

Vazhdimi i reshjeve të dëborës po e përkeqëson gjithnjë e më tepër situatën, si rrjedhim, në rrethin e Kukësit janë të izoluara komunat e Topojanit, Zapodit, Shishtavecit, Ujmishtit, Grykë Cajës,  Kalisit, Arrnit dhe Surrojit.

Aksi rrugor Kukës – Shishtavec  është krejtësisht i bllokuar. Në këtë segment rrugor trashësia e borës arrin në mbi 1,5 metër. Ndërsa aksi rrugor Kukës – Krumë  është i qarkullueshëm vetëm me zinxhirë.

Në këtë situatë, pozitive është se furnizimi me energji elektrike ka qenë thuajse i pandërprerë deri në zonat më të thella. Po ashtu, gjatë kësaj periudhë nuk është shfaqur asnjë rast i emergjencës civile.

Përgjegjësi i Zyrës së Emergjencës Civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema, tha se është arritur mbajtja në gjendje thuajse normale segmenti i autostradës Morin-Kukës- Tunel. “Ky segment i autostradës është i kalueshëm pa zinxhirë në të katërta kalimet. Për këtë po punojnë 12 borëpatruese. Ndërsa trashësia e dëborës në afërsi të tunelit arrin në mbi një metër”, tha Tema.

Si rrjedhojë e reshjeve të vazhdueshme të dëborës, situata është duke u vështirësuar në të gjitha akset e tjera rrugore. Kështu, aksi rrugor Kukës- Qafë Shllak  është i qarkullueshëm me zinxhirë dhe vetëm me një kalim. Në këtë segment rrugor po punojnë 2 borëpastruese, ndërsa trashësia e dëborës arrin në mbi një metër. Aksi rrugor Kukës – Draj Rec është i qarkullueshëm deri në fshatin Domaj. Në këtë segment rrugor punojnë 2 mjete borëpasteruese, ndërsa trashësia e dëborës arrin në mbi 80 centimetra.

Ortek në komunën Kelmend

Një ortek dëbore i përmasave të mëdha ka rrezikuar seriozisht një familje të fshatit  Budace të Komunës Kelmend në  Malësine e Madhe.

Burime zyrtare nga Komisioni i Emergjencës Cicile pranë Prefekturës Shkodrës, bëjnë të ditur se ngjarja në fjalë ndodhi në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës kur masivi i madh i dëborës në rrokullisje e sipër nga lartësitë e maleve ka përfunduar mbi banesen private të shtetasit Zef Necaj.

Nga i njëjti burim mësohet se banesa në fjalë ka pësuar dëmtime të shumta, ndërkohë që ka mbytur edhe 20 bagëti që ndodheshin pranë banesës në një stallë. Fatmirësisht, pjesëtarët e familjes Necaj kur kanë konstatuar ardhjen e ortekut kanë arritur të spostohen me shpejtësi duke shpëtuar për mrekulli nga bllokimi i masivit të dëborës.      

Drejt normalizimit situata në Librazhd

Paraditen e të dielës, aksi rrugor Librazhd – Qafë Thanë mund të kalohet pa zinxhirë.  Që në orët e para të mëngjesit, në këtë aks rrugor, Bashkia ka vënë në dispozicion, dy mjete dëborë pastruese  dhe ka hedhur në rrugë kripë dhe skorie me qëllim qarkullimin e mjeteve pa zinxhirë.
Sipas shefit të shtabit të Emergjencave Civile Mustafa Arapi, mësohet se si pasojë e reshjeve të shiut gjatë natës së djeshme, kanë rënë gurë dhe masive dheu nga kodrinat në akset rrugore Qafë-Krrabë, Hotolisht-Xhyrë në Librazhd, dhe në Kthesat e Murrashit. Edhe në këto akse punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve kanë pastruar rrugën dhe aktualisht situata paraqitet normale.

Reshjet e mëdha të dëborës që ranë në rrethin e Librazhdit tre ditët e fundit krijuan mjaft probleme vetëm në  qytet, ku  trashësia e dëborës arriti deri në  40 centimetra  dhe në zonat rurale të thella  malore deri në 1,5 metra. Shumë rrugë  u bllokuan dhe u ndërpre  qarkullimi  i automjeteve dhe komunikimi me  zonat rurale.

Në Sarandë pezullohet lundrimi

Kapitaneria e Sarandës, që prej ditës së djeshme, ka pezulluar lundrimin ndërkombëtar detar të trageteve për udhëtarët, për shkak të dallgëzimeve deri në 6 ballë të detit.
Sipas burimeve zyrtare nga Kapitaneria, tre tragetet “Delfini”, “Joni” dhe “Foiniki”, të administratorëve shqiptarë, nuk janë lejuar të lundrojnë deri në përmirësimin e motit.
Të njëjtat burime bënë me dije se pezullimi parashikohet në ndodh edhe për ditën e nesërme. Ndërkohë, udhëtarët që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, për arsye sigurie, janë drejtuar të kalojnë nga kufiri tokësor i Qafë Botës, rreth 25 km larg Sarandës.

Kosova e mbuluar nga bora mbyll shkollat për një javë

Moti i keq shkakton 300 viktima në Europë