Shqiptarët e Italisë dhe të Greqisë do të mund të aplikojnë në vendet ku jetojnë për nxjerrjen e pasaportave të reja biometrike
Romë, 4 qershor 2010 – Tashmë vendimi i qeverisë shqiptare është marrë. Shqiptarëve të Italisë nuk do t’u duhet të shkojnë patjetër në Shqipëri për të aplikuar e për të tërhequr pasaportën e re biometrike, do të mund ta bëjnë pranë ambasadës apo konsullatave të përgjithshme. E thotë për “Botën shqiptare”, ambasadori ynë në Romë, Llesh Kola. Ende nuk dihet data e saktë, tani për tani kjo gjë është miratuar në parim. Pritet që shpejt të merret vendimi edhe për përcaktimin e çështjeve teknike si për shembull datën e fillimit të procedurës, koston e dokumentit, kohën e pritjes për tërheqjen e tij. Është mëse e arsyeshme të thuhet se praktika do të nisë pas verës.
Ambasadori na bën të ditur se qysh në nëntor 2009 i ka përcjellë ministrisë së Brendshme shqiptare shqetësimin e shumë bashkatdhetarëve që kërkonin t’u jepet mundësia të kërkojnë e të marrin pasaportën e re në Itali, ashtu siç bënin deri vjet për pasaportën tjetër. I njëjti problem duket se është ngritur edhe në Greqi. Dhe siç shpresonte shumëkush, më në fund vendimi është marrë: do të aplikohet pranë ambasadës e konsullatave, qoftë në Itali qoftë në Greqi ku është përqendruar numri më i lartë i emigrantëve, mbi një milion shqiptarë.
“Parimisht është vendosur gjithçka, ka mbetur vetëm zgjidhja e disa çështjeve teknike me firmën që prodhon praktikisht dokumentet e identifikimit. – thotë ambasadori – Është shumë e mundur që kjo procedurë të nisë nga shtatori, pasi të ketë mbaruar edhe fluksi i lartë i emigrantëve që kthehen në atdhe për pushimet e verës”.
Sa për çmimin, me siguri do të paguhet fakti që shërbimi po ofrohet jashtë shtetit. “Flitet se do të kushtojë rreth 70 euro – thotë ambasadori, që saktëson – por ende nuk ka një vendim zyrtar mbi këtë pikë”.
Ke. Bi.