in

Bëma e fundit e Borghezio-s: “Një web-site kundër imigrantëve”

Do të shërbejë “për të sinjalizuar fakte e sjellje domethënëse lidhur me imigrantët. Një hapësirë për të shprehur, e pse jo, për të nxjerrë dufin pa kontrollin e censurës”. “Garantohet anonimati”, në rast se hapet ndonjë hetim për racizëm

Romë, 14 shkurt 2012 – Edhe për Shën Valentin, legistët mendojnë për imigrantët, sipas mënyrës së tyre, natyrisht. Me sa duket të lodhur të ndërhyjnë gjithnjë në sitet e të tjerëve, së shpejti do të përurojnë një hapësirë on-line ku kushdo që dëshiron mund të vjellë vrer kundër shtetasve të huaj, të thotë se çfarë nuk u pëlqen në sjelljet e qëndrimet e tyre, i sigurt që aty do të gjejë një publik që e mendon njësoj si ai.

Kjo është iniciativa e paralajmëruar sot nga Mario Borghezio, eurodeputeti italian që mendon se ka të drejtë vrasësi i Norvegjisë, dhe Max Bastoni këshilltari komunal i Milanos dhe bashkëthemelues i patrullave legiste.

Nuk është ide origjinale: prej disa ditësh ekziston një web-site në të cilin kërkohet të sinjalizohen “bezditë” e shkaktuara nga imigrantët e lindjes, i krijuar në Holandë nga Geert Wilders, udhëheqës i Partij voor de Vrijheid, që ka ndezur jo pak polemika për frymën e tij raciste e ksenofobe. Komisioni Europian, madje e ka dënuar dhe ambasadorët e dhjetë vendeve të Europës Lindore kanë protestuar me qeverinë holandeze.

Por, dy legistët, flasin për “një shembull pozitiv” që duhet importuar. “Është absolutisht i domosdoshëm – thonë ata – një web-site që t’u japë mundësi të gjithë qytetarëve të sinjalizojnë fakte dhe sjellje domethënëse lidhur me imigrantët jokomunitarë. Situata të shumta negative, ose të paktën të censurueshme, për motive të ndryshme mbeten pa iu treguar opinionit publik e pa paditje pranë autoriteteve kompetente, për shkak të filtrimit të mediave që i nënshtrohen diktaturës së ‘politically correct’.

Borghezio është i bindur se do të këtë “një sërë sinjalizimesh nga qytete, fshatra, lagje të Italisë në të cilat është më e madhe dhe më e rrezikshme prania e një imigracioni të parregullt klandestin. ‘Mazhoranca e heshtur’ e atyre të cilëve deri më sot nuk u është dhënë mundësia të thonë të vetën për të denoncuar faktet, sjelljet dhe dëmet shoqërore dhe ekonomike, me një fjalë, profilin negativ të një pjese të imigracionit, do të gjejë më në fund një hapësirë ku të shprehet, pse jo, të nxjerrë dufin pa qenë nën kontrollin e censurës që godet gjithnjë opinionet e papëlqyera nga kultura mbizotëruese”.

“Ky web-site, që do të quajmë fytyra tjetër e imigracionit, do të jetë një hapësirë lirie e hapur për të gjithë, burra e gra, përfshirë ata të forcave të rendit, natyrisht, të cilëve do t’u garantojmë anonimatin” siguron Bastoni. Dhe është një saktësim shumë i rëndësishëm. Do të ishte budallallëk të nënshkruash me emër e mbiemër sharje e shfryrje që ndonjë Prokure mund t’i duken nxitje racizmi.

Elvio Pasca

 

Hiqet si agjent i shërbimeve sekrete. Është trafikant droge e arrestohet

Gjendet viktima e fundit e ortekut në Restelicë të Kosovës