in

Reshjet e reja të dëborës rëndojnë gjendjen në Shqipëri

Reshje bore jo vetëm në veri por edhe në Shqipërinë e mesme dhe të Jugut. Sot ka pasur reshje bore edhe në Tiranë e Elbasan. Nga rrethi i Kukësit rriten kërkesat për ndihma ushqimore. Situatë e vështirë në akset rrugore

Tiranë, 15 shkurt 2012 – Prej orëve të para të mëngjesit në zonat veriore, verilindore, por dhe në një pjesë të  Shqipërisë së mesme dhe në komuna malore në jug të vendit  kanë filluar përsëri reshjet e dëborës të shoqëruara me temperatura të ulëta nga -5 deri në -10 gradë. 

Dëborë e imët ra sot paradite  në Tiranë dhe Elbasan dhe vazhdon të bjerë në zonat malore të këtyre qarqeve.  Ndërkohë që situatë më e vështirë paraqitet në rrethet e  Peshkopisë,  Malësisë së Madhe, Burrelit, Librazhdit,  ku si pasojë  e reshjeve të dendura të dëborës një pjesë e  komunave kanë mbetur të izoluara. Këto reshje të dendura kanë vështirësuar edhe qarkullimin në akset rrugore, kryesisht në veri, verilindje dhe juglindje të vendit.

Dëbora që ra sot ka vështirësuar qarkullimin edhe në disa zona malore në jug të vendit si  në ato të Përmetit dhe Kolonjës si dhe në Vlorë, në qafën e malit të Llogorasë, ku kalimi i automjeteve është bërë tepër i vështirë.

Sipas burimeve të ministrisë së transporteve mjetet borëpastruese, qarkullimi i  automjeteve bëhet me zinxhirë dhe në shumë segmente me një kalim. Po sot paradite dërgimi i ndihmave  me helikopterë në zonat e thella malore është ndërprerë për shkak të motit të keq. 

Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencës, që u mblodh mbrëmë, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u raportua nga ministrat se fondi që ka miratuar Komiteti është vënë në dispozicion të njësive vendore në nevojë për hapjen e rrugëve dhe  e gjithë puna në terren monitorohet dhe koordinohet përmes sallës operative përgjatë 24 orëve. 

Ndërkohë vazhdon solidariteti me banorët e zonave të bllokuara nga dëbora, ku po dërgojnë ushqime dhe veshje shoqatat e biznesit, Kryqi i Kuq, Caritasi etj.

Moti i keq. Situatë dramatike në mbarë Shqipërinë

Zihet me të fejuarën e pi amoniak nga inati