Unar, Zyra kombëtare kundër diskriminimit: “Së shpejti një sistem i automatizuar monitorimi. Në vitin 2011, 22,4% e praktikave kishin të bënin mediat. Parlamenti të ratifikojë sa më parë konventën mbi cybercrime (krimin kibernetik)”
Romë, 15 shkurt 2012 – Të martën, legistët Borghezio e Bastoni kanë paralajmëruar se duan të krijojnë një web-site anti-imigrantë. Të mërkurën, Zyra Kombëtare kundër diskriminimeve raciale njofton se “vigjilanca e UNAR-it mbi dukuritë e racizmit në internet është konstante, e shpejtë dhe efikase e do të përforcohet me adoptimin e sistemit të automatizuar dhe të përparuar të monitorimit on line”.
UNAR nënvizon se gjatë tre vjetëve të fundit është rritur në mënyrë eksponenciale numri i faqeve internet, i blogjeve apo i komenteve për të cilat zyra ka marrë masa për të fshirë faqet, ose ka formuluar padi pranë autoriteteve gjyqësore për nxitje të urrejtjes raciale. Në vitin 2011, nga mëse 1.000 praktikat e ndjekura nga zyra, 22,4% kishin të bënin me sektorin e mediave (në vitin 2009 përbënin vetëm 12,4% të 373 praktikave të ndjekura). Në vitin 2011, 84% e praktikave që kishin të bënin me mediat trajtonin raste dukurish ksenofobie ose racizmi në internet.
“Sipas normativës në fuqi – kujton Monnanni – kush propagandon apo nxit drejt kryerjes së akteve të diskriminimeve të bazuara mbi superioritetin dhe urrejtjen raciale ose etnike, kryen një vepër penale dhe UNAR, pasi verifikon vërtetësinë e sinjalizimit të marrë përmes sitit www.unar.it ose numrit të gjelbër 800.90.10.10, do të vazhdojë të marrë masat për të vënë në punë Policinë postare ose Autoritetet gjyqësore, kështu siç bën prej vitit 2010 në autonomi të plotë, qoftë edhe pa sinjalizime nga të tretë por në bazë të kontrollit të përditshëm të shtypit, të siteve”.
“Lufta ndaj racizmit on line – përfundon drejtori i UNAR-it – është përparësi emergjente edhe për Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Europës dhe plotësisht të përkrahura nga UNAR. Theksojmë domosdoshmërinë që Parlamenti të ratifikojë sa më shpejt Protokollin shtesë të Konventës së Këshillit të Europës mbi krimin kibernetik, që jo vetëm përforcon kuadrin ligjor mbi veprat penale me bazë racizmin e ksenofobinë në internet, por do të bëjë të mundur që autoritetet e policisë dhe ato gjyqësore të kenë efikasitet të lartë edhe në sitet ksenofobe dhe raciste që gjenden jashtë territorit italian”.