in

Emigrantët shqiptarë në Italinë e krizës / 2

Nga Rando Devole, sociolog e ekspert i migracionit dhe i marrëdhënieve ndërkulturore, ka dhënë një sërë të dhënash të reja mbi situatën aktuale të emigracionit shqiptar në Itali, të evolucionit të tij 20-vjeçar.
Emigracioni shqiptar në Itali: shpërndarja në sektorë ekonomikë dhe në territor

Në fillim të 2010-s pjesa më e madhe e punonjësve shqiptarë ishin meshkuj. Këta përbënin 68,7% të të punësuarve, ndërsa gratë vetëm 31,3% (70.220). Kjo e dhënë, përditësimi i së cilës mungon ende, ka nevojë për t’u interpretuar, sepse emigracioni shqiptar paraqitet aktualisht i ekuilibruar nga pikëpamja gjinore. Po ta merrnim në konsideratë numrin e përgjithshëm të rezidentëve, pra përtej lidhjes me punën, në fund të 2010-s, femrat arrinin 46,3%. Një vështrim i shpejtë kundrejt statistikave të vitit të mëparshëm (përbërja femërore ishte 45,8%) do të na bënte të kuptonim një aspekt të rëndësishëm, d.m.th. rritjen e përqindjes femërore në emigracionin shqiptar. Megjithatë, të dhënat për praninë në punë tregojnë nga një anë prejardhjen mashkullore të emigracionit shqiptar, nga tjetra shpërndarjen më të balancuar në tregun e punës. Natyrisht, ka edhe ndikime kulturore, që çojnë në angazhimin më të madh të grave në punët që lidhen me përkujdesjen ndaj familjes.

Statistikat konfirmojnë se shqiptarët në Itali punojnë në të gjithë sektorët makroekonomikë. Vihen re përqendrime që ndryshojnë sipas sektorëve, por nuk janë përqendrime të tilla sa të na bëjnë të flasim për “specializim  etnik” në tregun e punës. Në sektorin industrial, deri në fillim të 2011-s, punonin 104.078 shqiptarë, pra pjesa më e madhe. Bëhet fjalë për industrinë mekanike, kimike, ndërtimore, elektrike, ushqimore, tekstile, drunore, etj. Në sektorin e shërbimeve rezultojnë 92.784 të punësuar. Këtu përfshihen nënsektorët si tregtia, transporti, shëndetësia, pastrimet, turizmi, asistenca në familje, etj. Së fundi, bujqësia: në këtë sektor punojnë jo pak shqiptarë: 20.027. Në përqindje, rendi i pranisë në sektorët ekonomikë paraqitet kështu: industria (47,2%), shërbimet (42,1%), bujqësia (9,1%). Diçka ka ndryshuar gjatë vitit. Në fakt, një vit më parë, në industri punonin më shumë shqiptarë (110.731); e kundërta ka ndodhur në sektorin e shërbimeve ku numri i tyre është rritur (ishin 90.056); gati e njëjtë prania e tyre në bujqësi (vitin paraardhës kanë qenë 20.158). Pra është verifikuar një lëvizje brenda tregut të punës të shqiptarëve, një kalim nga industria tek shërbime. Nga përqindjet dallohet që ulet numri i të punësuarve në industri në favor të shërbimeve e të bujqësisë. Në 2009-n shpërndarja ishte kështu: industria (49,3%), shërbimet (40,1%), bujqësia (9%).

Shpërndarja sektoriale e shqiptarëve, pavarësisht nga transformimet e shkaktuara nga kriza, shfaqet në thelb e ekuilibruar. Brenda industrisë ka shumë sektorë, nga nxjerrja e mineraleve tek industria e naftës, nga sektori i tekstileve tek ai i letrës, nga industria mekanike tek ndërtimi. Përveç industrisë së naftës dhe të energjisë elektrike e të gazit, shqiptarët janë në të gjithë sektorët industrialë. Gjatë 2010-s, pjesa më e madhe e shqiptarëve punonte në ndërtim (28,6%), në industrinë e metaleve (4,9%) e në industrinë ushqimore (2,8%). Për sa i përket shërbimeve, duhet nënvizuar fakti se shpërndarja midis aktiviteteve të ndryshme është përgjithësisht homogjene, ndonëse në vend të parë është sektori hoteleri ku punojnë 11.2% e shqiptarëve. Vijojnë shërbimet për ndërmarrjet dhe tregtia. Aktivitetet pranë familjeve nuk i tërheqin shumë shqiptarët, vetëm 4,8% punojnë në atë sektor.

Në 2009-n puna e shqiptarëve nuk shkoi edhe aq mirë. Për shkak të krizës, punësimi i shqiptarëve zbriti me -4.276 njësi. Po gjatë 2010-s çfarë ndodhi? Kriza goditi me të njëjtën forcë. Në të gjithë Italinë diferenca e shqiptarëve midis punësimeve e shkëputjeve nga puna ishte negative, saktësisht -4.329. Për çudi, diferenca negative nuk preku sektorin bujqësor, ku më 1.1.2011 rezultonin 285 punonjës shqiptarë më tepër se vitin e mëparshëm. Shumë më keq e mbyllën sektorët e industrisë (-3.478) e të shërbimeve (-1.186).

Rivizatimi i hartës së punës së shqiptarëve në Itali mundëson jo vetëm njohjen më të mirë të dukurisë migratore, në një moment kritik të situatës ekonomike globale, por lejon vlerësimin e aspekteve të tjera të rëndësishme si integrimi dhe stabilizimi. Pa një hartë të tillë, askush nuk mund të përcaktojë veprime efikase, programimi, mbrojtjeje e asistence, në të dyja brigjet e detit, në favor të shqiptarëve që punojnë, e që në një mënyrë ose tjetër japin kontributin e vet për zhvillimin e rajonit. Njohja e punës së tyre është e dobishme sa në vendin e rezidencës, aq edhe në vendlindje. Nga një anë, puna është e lidhur ngushtë me integrimin, me kompetencat profesionale, me dërgesat financiare e aspekte të tjera të rëndësishme që lëvizjet migratore sjellin me vete, nënvleftësimi i të cilave do të ishte i rëndë veçanërisht në kohë krize. Nga ana tjetër, ekziston rreziku real që rritja e papunësisë tek emigrantët të shkaktojë keqësimin e kushteve të punës e konsolidimin e modelit italian të tregut të punës, ku emigrantët mbajnë pozicione vartëse, duke bërë punët më të rënda e të papreferuara. Pra emigrantët mund të rrezikonin nga ana e të drejtave, të mbrojtjes e të integrimit. Janë për t’u hulumtuar seriozisht edhe pasojat në vendin e origjinës, i cili nuk mund të jetë i imunizuar nga ndryshimet e emigracionit të vet.

Statistikat tregojnë se puna e shqiptarëve përqendrohet në veri të Italisë. Kjo për faktin se bëhet fjalë për pjesën më të zhvilluar ekonomikisht të vendit, ku janë edhe mundësitë më të mëdha për t’u punësuar. Gati 60% e shqiptarëve, më 1.1.2011, punonte në krahinat veriore. Krahina e Lombardisë zinte vendin e parë me 42.680 punonjës. Duhet shënuar një rënie e punonjësve në këtë krahinë. Një vit më parë ishin 43.999. Janë verifikuar ndryshime edhe në rendin e krahinave sipas pranisë së punonjësve shqiptarë. Ndërsa një vit më parë vendi i dytë i takonte qartësisht Toskanës, tani ky vend i takon dy krahinave njëkohësisht. Si krahina e Toskanës, ashtu edhe ajo e Emilia Romanjas kanë pasur 12,8% shqiptarë. Në të vërtetë, Toskana ka ndonjë njësi më tepër, por diferenca është me gjithë mend e papërfillshme, diferencë që është shkurtuar gjatë 2010-s. Me pak fjalë, shqiptarët e Toskanës janë reduktuar në numër e janë rritur ata që punojnë në Emilia Romagna. Vendin e katërt e të pestë e kanë zënë Veneto (19.465) e Piemonte (18.522), pasuar nga krahina e Lacios (11.606). Midis krahinave të fundit, vetëm Lacio ka rezultuar në rritje, ndërsa Piemonte e Veneto e kanë ndërprerë traditën e rritjes konstante. Në vendin e fundit është Sardenja, ku punojnë 446 shqiptarë, numër përnjimend modest që tregon nga një anë aftësinë e kufizuar të tregut sard të punës nga pikëpamja e punësimit, por edhe mungesën e traditës migratore të shqiptarëve në atë ishull, e kushtëzuar, midis të tjerash, nga faktorët gjeografikë. Megjithatë, interesant mbetët fakti se punonjësit shqiptarë, në krahasim me vitin e mëparshëm, janë rritur në këtë krahinë, ndonëse me një kuotë të vogël.

Përqindja e punonjësve shqiptarë në krahinat e ndryshme në raport me grupet e tjera etnike mund të na tregonte aspekte interesante. Në realitet shpërndarja e shqiptarëve është mjaft homogjene e në asnjë krahinë nuk arrijnë vlera të tepërta përqendrimi. Në këtë rast na vijnë në ndihmë historia dhe dinamika e flukseve migratore nga Shqipëria. Është e vërtetë që pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë në Lombardi, por në atë krahinë ata përbëjnë vetëm 7,4% të të gjithë punonjësve emigrantë. Krahina që ka pasur përqindjen më të madhe të shqiptarëve ka qenë Toskana me 13,4%. Përbëjnë surprizë Umbria (13%), Marke (11,3), Pulja (12,1%), por mbi të gjitha Liguria (11,5).

Në nivel provincial shpërndarja duket e përpjesëtuar mirë. Nëse përjashtojmë Milanon, ku punojnë 18.077 shqiptarë, ose 8,2% të totalit, Firencen (3,9%), e Romën (3,7%), pjesa tjetër e provincave ka përqindje të ulëta: një tjetër tregues i shpërndarjes së ekuilibruar të punonjësve shqiptarë. E ndryshme duket situata në krahasim me bashkësitë e tjera. Ka territore ku shqiptarët arrijnë përqindje kuptimplote (Pistoia 28,5%, Bari 20,3%, Rimini 14,9%, Savona 17,5%, Kuneo 16,5%, Brindizi 14,8%, Firence 13,6%, Pezaro 13,8%, Teramo 12,2%, Frozinone 10,1), të tjera provinca ku prania është më pak e rëndësishme e shumë pak territore që zbresin nën pragun e 2%-it.

Prania e shqiptarëve në tregun italian të punës është strukturore. Edhe pse ka një farë përqendrimi në veri, shpërndarja e punonjësve shqiptarë duket më homogjene se bashkësitë e tjera. Bëhet fjalë për një prani kapilare, ndonëse në disa provinca nuk paraqiten numra kuptimplotë. Në fakt, nuk ka territore italiane ku mos të ketë punonjës shqiptarë. E njëjta gjë mund të thuhet për sektorët ekonomikë. Shqiptarët punojnë në të gjitha fushat e ekonomisë, megjithëse në disa sektorë (p.sh. në ndërtim e në hoteleri) verifikohet një prani më e madhe. Është interesant të vëmë re se si rritja në kohë e femrave nuk ka çuar në prurje të mëdha drejt shërbimeve të familjes. Fuqia punëtore shqiptare është e shpërndarë mirë e përdoret edhe në sektorët përgjithësisht të lënë pas dore nga studiuesit, si bujqësia p.sh., ku shqiptarët zënë vendin e parë midis vendeve jo komunitare. Statistikat dëftojnë para së gjithash stabilitetin dhe integrimin e shqiptarëve në indin ekonomik italian. Megjithatë, për shkak të krizës ekonomike diçka po ndryshon. Duke filluar nga lëvizshmëria brenda sektorëve ekonomikë, që tregon gjithsesi një farë fleksibiliteti të fuqisë punëtore shqiptare, që për dy vjet radhazi humb vende pune. Kjo dinamikë përbën një arsye më tepër për të vazhduar me monitorimin e punës së shqiptarëve në Itali.

Rando Devole

Lexo edhe: Emigrantët shqiptarë në Italinë e krizës / 1

Tabela statistikore:

Emigrantët shqiptarë në Italinë e krizës / 1

Olen Cesari: “Lucio më fal por nuk do të luaj Ave Marian në varrimin tënd”