Në Bolonjë me dhjetëra mijëra persona i kanë dhënë lamtumirën e fundit Lucio Dalla, kantautorit italian që sot do të kish mbushur 69 vjeç. Mes tyre edhe miku Olen Cesari, që zbulon për herë të parë një kërkesë që i kishte bërë Dalla kohë më parë, që të luante Ave Marian e Shubertit në varrimin e tij.
Romë, 4 mars 2012 – Lucio Dalla është përcjellë për në varrezën monumentale të Certosa-s të Bolonjës që sot ishte në zi për humbjen e një prej banorëve të saj më të shquar. Në ceremoninë e varrimit kanë qenë të pranishëm dhjetëra mijëra qytetarë, emrat më në zë të muzikës italiane, autoritetet më të larta lokale dhe përfaqësues të forcave politike, që e kanë njohur kush më shumë e kush më pak personalisht.
Mes tyre edhe Olen Cesari që Lucion e ka njohur fillimisht si artist, e ka shoqëruar në turnè me violinën e tij dhe që për shumë vjet i ka lidhur një miqësi e fortë. Në Bolonjë që ditën kur mori lajmin e hidhur të vdekjes së mikut, Olen tregon se për herë të parë fle në një hotel të qytetit emilian, pasi shtëpia e Lucios, gjithnjë e hapur për miq e artistë “sot është pa të zotin”.
“Lucio më kishte kërkuar që të luaja Ave Marian e Shubertit në varrimin e tij por nuk e bëj dot, jam shumë i emocionuar”. Kështu thotë Oleni që është i sigurt se miku do t’ia falë: në njëfarë mënyre fjalën e mbajti, duke luajtur Ave Maria dy net më parë, teksa ishte bashkë me disa miq të ngushtë pranë arkivolit të Dallas.
“Një vit më parë, pasi inçizuam “Anema e Core” të albumit tim të parë – tregon Oleni – papritur, Lucio më kërkoi që të luaja Ave Marian në varrimin e tij. Por nuk i dhashë shumë rëndësi, duke menduar se do të kishim shumë vjet akoma përpara e në të vërtetë…”. Lucio e donte fort Olenin: vite më parë, në programin “Raccomandati” kishte vendosur ta shoqëronte si padrino, siç bëjnë zakonisht artistët e afirmuar me ata më të rinj, të cilëve u njohin talentin e u parashikojnë një karrierë brilante.
“Karriera ime në Itali “shpërtheu” me një koncert të Lucio Dallës. – kujton Oleni – Unë shkova ta dëgjoj një koncert të tijin, e kur shfaqja mbaroi, shkova tek dhoma e tij prapa skenës. E Lucio më tha: “Ah, ti je Cesari, kam dëgjuar të flasin mirë për ty, ma trego!”. Thashë: “Hë pra, më thërrit pra”. Më thotë “A vjen nesër, merr me vete edhe violinën”. Unë s’prita të ma thoshte dy herë, shkova me violinë e i bie një këngë në koncertin e tij në Teatro Olimpico. Mbaroj, përshëndes e bëhem gati të iki, kur ai më kap për krahu: “Jo jo jo, rri këtu”. Bëra gjithë koncertin e të nesërmen më thotë: “Pse nuk vjen me mua në world tour?”. E ndodhi kështu që për një vit e gjysmë kemi bredhur nëpër botë pa u kthyer në shtëpi. Kështu pra, gati rastësisht, ka lindur bashkëpunimi me Lucio Dalla”.
E nga bashkëpunimi ka lindur një miqësi e fortë mes dy artistëve. Sa kur përgatiti diskun e tij të parë, “Unxpected” Oleni thirri, veç të tjerëve edhe Lucio Dallan për të interpretuar së bashku Anema e Core. Dhe Lucio nuk u tërhoq mbrapsht, interpretoi këngën napolitane për mikun e tij.
Këto ditët e fundit, duke biseduar me artistë të tjerë Oleni ka ndeshur tek të gjithë “të njëjtën gjendje shpirtërore, të njëjtën pamundësi për të kënduar apo për t’u rënë instrumentave në varrimin e Lucios. Është e vështirë dhe njerëzore” thotë i emocionuar.
Çka ndodhi këto ditë në Bolonjë, sipas Olenit, është e papërshkrueshme: “Duket sikur ka vdekur Papa. Kam parë mijëra vetë rrugëve, shumë që faleshin sipas besimeve të ndryshme fetare. Përpara shtëpisë së Lucios mes të tjerash gjeta edhe ‘Grazie dai migranti che vivono a Bologna’. Lucio nuk ishte një divo – përfundon – por njeri i thjeshtë.