“Një numër i konsiderueshëm personash (duke përfshirë edhe shumë të mitur) pohuan se kishin qenë të nënshtruar ndaj keqtrajtimit fizik (p.sh. shuplaka, grushte, shqelma ose goditje me shkop) në kohën e arrestimit të tyre ose gjatë marrjes në pyetje nga ana e oficerëve të policisë”.
Kështu shkruhet në Raportin e Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit Çnjerëzor, Degradues apo Ndëshkimit, KPT, të botuar sot më 20 mars me të dhënat e mbledhura gjatë vizitës së përfaqësuesve të tij në Shqipëri në maj 2010 dhe me përgjigjet e dhëna KPT-së nga autoritetet shqiptare.
Kushtet materiale të paraburgimit ishin shumë të varfra në shumicën e institucioneve policore të vizituara (qeli të shkatërruara, pa dritë natyrore ose shumë të kufizuara, ndriçim artificiale të zbehtë dhe ventilim të varfër), vijon raporti, por në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare tregojnë se shumë prej objekteve policore të paraburgimit janë duke u përtërirë apo rindërtuar plotësisht.
Sipas raportit, në burgje, marrëdhëniet personel-të burgosur në përgjithësi u dukën të ishin të qeta dhe dhuna ndërmjet të burgosurve nuk përbënte problem. Megjithatë, raporti vëren se në burgun e Korçës, burgun nr. 313 i Tiranës dhe në Qendrën e Paraburgimit në Durrës, disa të burgosur pretenduan se ishin keqtrajtuar fizikisht nga anëtarët e grupeve të veçanta të ndërhyrjes në këto objekte.
Nga ana tjetër, në Qendrën e Paraburgimit në Kukës, vijon raporti, kushtet ishin të tmerrshme (qeli me lagështi dhe të ndyra, me riparime në gjendje të dobët, me dritë natyrore të kufizuar dhe ventilim të papërshtatshëm).
Sipas raportit, disa njësi në Burgun nr. 313 në Tiranë ishin të mbipopulluara rëndë. Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare informojnë KPT-në se në të ardhmen e afërt do të fillojë ndërtimi i një qendre të re të paraburgimit në Kukës si edhe e një burgu të ri arresti në Tiranë.
Kushtet materiale ishin të varfra edhe në shumë qeli të burgut të Burrelit dhe në Spitalin Psikiatrik Shkodër, vijon raporti i KPT-së.
Por, në kontrast me sa më sipër, KPT-ja gjeti kushte materiale të kënaqshme në Qendrën e sapo-ndërtuar të Reintegrimit të të Miturve në Kavajë, por edhe në burgjet e Fushë-Krujës dhe Korçës, në Qendrën e Paraburgimit në Durrës, si dhe në shtëpitë komunitare në Elbasan dhe Shkodër, të gjithë të hapura së fundmi.
Kushtet e jetesës së pacientëve në Spitalin e Burgut në Tiranë janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Megjithatë, KPT-ja ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me praktikën e vazhdueshme të përdorimit të zinxhirëve metalike për të kufizuar në shtretërit e tyre pacientët vetëvrasës apo të shqetësuar. Në reagimin e tyre, autoritetet e shtetit shqiptar deklaruan se në të ardhshmen do të përdoren vetëm rripa lëkure.