in

Edmond Kumaraku, kandidat për postin e sekretarit komunal të PD-së së Riminit

Janë paraqitur më 21 mars tre kandidaturat për zgjedhjet e sekretarit komunal të Partisë Demokratike të Riminit. Mes tyre edhe Edmond Kumaraku, 46 vjeç, kryetar i shoqatës Agimi

Romë, 22 mars 2012 – Janë paraqitur dje tre kandidatët që do të garojnë për postin e sekretarit të ri komunal të PD-së së Riminit. Kandidatët janë Edmond Kumaraku, 46 vjeç, kryetar i shoqatës Agimi, Federico Berlini, 23 vjeç, sekretar i klubit Pd Viserbella dhe Torre Pedrera dhe Samuele Zerbini, 36 vjeç, këshilltar komunal i PD-së në Rimini.

Tani janë asambletë e 14 klubeve të PD-së që do të zgjedhin deri më 16 prill delegatët që do të çojnë në asamblenë e përgjithshme komunale që më 20 prill do të zgjedhin mes tre kandidatëve sekretarin e tyre.

Edmond Kumaraku ka ardhur në Itali me eksodin e vitit 1991 dhe gjithnjë është marrë me çështje sociale që kanë për qëllim integrimin e komunitetit shqiptar në Rimini.  Ka themeluar Agimin, një nga shoqatat e para të shqiptarëve në Itali. Në vitin 1999 ka qenë një nga themeluesit e degës së Partito Democratico të Riminit e  prej dy vjetësh – që kur ka  marrë edhe shtetësinë italiane, është anëtar i kryesisë së kësaj force politike. “Përfshirjen në politikën italiane e  më saktë PD, forcë që ndiej më pranë – thotë Kumaraku për shqiptariiitalise.com – e kam parë si një hap të domosdoshëm e të natyrshëm për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të integrimit”. Ai është edhe kryetar i Forumit provincial të PD-së për imigracionin dhe anëtar i forumit krahinor.

Edmond Kumaraku e Livia Turco (PD)
“Vendosa të kandidoj për postin e sekretarit komunal pasi dua që PD të bëjë më shumë jo thjesht për integrimin e të huajve por edhe për përfshirjen e tyre në jetën shoqërore e politike të qytetit. Në statutin e saj, PD nuk bën dallim mes të huajve dhe italianëve, por ka ardhur koha që të ndërmerren iniciativa ligjore për të ndryshuar normat në fuqi që përjashtojnë të huajt jo vetëm nga vendimmarrja politike dhe administrative por edhe nga shumë profesione” shpjegon Kumaraku kandidaturën e tij.

Nga ana tjetër, si kryekoordinator i 65 degëve të Partisë Socialiste shqiptare në Itali, në brendësi të kësaj force politike, çon përpara përpjekjet për t’u dhënë peshë emigrantëve shqiptarë në vendimmarrjen politike në Shqipëri.

 

Prato. Arrestohet infermieri për persekutim të ish gruas së tij

Fuori dal Cie Andrea e Senad, “stranieri” nati e cresciuti in Italia