Në Abano Terme, pronari i një klubi komunal nuk u shërben emigrantëve pasi dy magrebinë ishin zënë në lokal. Gjobitet e paditet për racizëm, por kryetari i bashkisë e mbron: “Nuk ka diskriminim”
Romë, 10 prill 2012 – “Nuk u shërbejmë imigrantëve”. “Kafeneja raciste” është diçka që njihet prej kohësh në Itali. Gjithkush do ta ketë hasur të paktën një herë në ndonjë film mbi Italinë e luftës së dytë botërore të shkruarën në hyrje: “Ndalohet hyrja e hebrenjve”.
Por herën e fundit, “Nuk u shërbejmë emigrantëve” është dëgjuar në një klub të Abano Termes në provincën e Padovës, ditën e Pashkëve. Hamid Billouche, 47-vjeçar italian me origjinë marokene, hyn në klubin komunal (centro di Ricreazione Comunale) të rrugës Donati e kërkon një kafe. Baristja i thotë se me urdhër të drejtorit të lokalit, Lorenzo Pistore, nuk u shërbejnë më klientëve nga Afrika e Veriut. Vendimi është marrë pasi dy afrikanë, një natë më parë, kanë nisur një sherr në lokal.
Billouche, që është edhe kryetar i Konsultës për të huajt për provincën e Padovës, njeh Pistoren dhe e merr në telefon. “E këshillova të ndërrojë mendim, sepse ashtu siç po vepronte po kryente një akt të rëndë racist dhe se po rrezikonte paditjen. Prita edhe disa orë, i sigurt që situata do të ndryshonte” shpjegon Billouche për mediat lokale.
Por drejtori i lokalit nuk ndërroi qëndrim, dhe as Billouche nuk e la me aq. Pasdite u kthye sërish në lokal e pa përsëri që kafenë nuk ia shërbyen. Këtë herë thirri karabinierët që gjobitën drejtorin, dhe pranuan padinë e paraqitur kundër tij nga kryetari i Konsultës për të huajt, Hamid Billouche.
“E konsideroj veten viktimë të diskriminimit racial dhe ndihem i fyer nga sjellja raciste që zoti Lorenzo pati ndaj meje dhe ndaj të gjithë atyre afrikanëve që u refuzoi kafenë, pa një motiv të ligjshëm, edhe pse nuk kishte asnjë dyshim që shërbimi do të paguhej” ka shkruar në padi Billouche, që i ka nisur sinjalizimin edhe UNAR-it dhe mendon t’i drejtohet edhe konsullit të Marokut.
Ndërkaq, Pistore fiton solidaritetin e kryetarit të komunës së Abano Termes, Luca Claudio. Sipas këtij të fundit, ish eksponent i forcës ekstremiste të djathtë La Destra, “Lorenzo njeh mirë të gjithë klientët e tij e nuk do të diskriminonte asnjëherë ata. Ajo çka duhet kuptuar është që lokali është për të gjithë banorët e Abanos, dhe nuk është një qendër sociale, në kuptimin e ngushtë të fjalës, dhe as një pikë takimi ku të mblidhen persona që një fije peri i ndan nga ilegaliteti”.
EP