in

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Nuk rimbursohet as nëse dokumenti nuk lëshohet

Ministria e Ekonomisë dhe e Financave nuk do t’ia dijë: “Ato para nevojiten për përpunimin e kërkesave”. Kontributi duhet paguar edhe nga familjarët e refugjatëve apo nga ata që kërkojnë dublikatën e dokumentit

Romë, 11 prill 2012 – Paguaj, paguaj, paguaj! Asnjë nuk shpëton dot nga taksa mbi lejet e qëndrimit. Tetëdhjetë, njëqind apo dyqind euro që prej janarit 2012 imigrantët duhet të paguajnë kur kërkojnë lëshimin apo përtëritjen e dokumentit të tyre të qëndrimit. Ministria e Ekonomisë nuk bën zbritje për asnjë dhe, e pyetur zyrtarisht nga ministria e Brendshme, nëse në tri raste të veçanta do të ishte e mundur t’i shpëtohej kësaj takse, përgjigjet tri herë në mënyrë negative.

Për dublikatën e dokumentit që kërkohet kur ai humbet apo prishet, duhet paguar taksa e re (veç të tjerave po e po)? Përgjigjja është “po”, sepse “zyrat procedojnë për lëshimin e një dokumenti të ri” pra të mbulohen shpenzimet për këtë punë të administratës publike. Por meqë taksa ndryshon në bazë të kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit, duhet paguar vetëm ajo përkatëse për pjesën e mbetur të vlefshmërisë së dublikatës.

Është e udhës të theksohet se në rastin e përditësimit të të dhënave të lejes së qëndrimit (për shkak të ndryshimit të pasaportës për shembull), apo të konvertimit të lejes së qëndrimit të vlefshëm, taksa e re nuk duhet paguar. Një gjë e tillë parashikohet në dekretin që solli në fuqi këtë taksë, në nenin 3, ku flitet për kategoritë e përjashtuara nga taksa.

Një tjetër pyetje kishte të bënte me titullarët e lejeve të qëndrimit për azil apo mbrojtje humanitare. Ligji thotë që nuk duhet të paguajnë kontributin e ri, por familjarët e tyre në moshë madhore, sipas shpjegimeve të ministrisë së Ekonomisë, duhet ta paguajnë. Përjashtimet, sipas linjës së qeverisë, “kanë karakter të prerë e nuk janë objekt shtrirjeje”.

Po në rast se kërkon lejen e qëndrimit e Kuestura ta mohon, a mund të merren mbrapsh të paktën paratë e kontributit? Ministria e Ekonomisë është e prerë, përgjigjet sërish jo. Taksa paguhet njësoj “për shkak se përpunimi i praktikës është bërë”. I huaji të cilit i hidhet poshtë kërkesa e lejes së qëndrimit mund të marrë mbrapsht vetëm 27,50 euro që nevojiteshin për shtypjen e dokumentit elektronik që nuk u bë. Kështu që, i huaji, jo vetëm humbet të drejtën për të qëndruar në Itali, por edhe i dhuron rreth 100 euro shtetit që nuk të do më.

Ka diçka që nuk shkon në linjën e mbrojtur nga ministria e Ekonomisë, që justifikohet duke thënë në të gjitha rastet që taksa nuk kthehet sepse ato para paguhen për përpunimin e praktikës. Sipas ligjit që solli në fuqi taksën e re mbi lejet e qëndrimit, vetëm një pjesë e vogël e saj shkon për zyrat që procedojnë për lëshimin e një dokumenti të ri, pra për mbulimin e shpenzimeve për këtë punë të administratës publike. Në nenin 4, paragrafët 2 dhe 3, thuhet qartë që  50% e parave të mbledhura me këtë taksë do të shërbejë për financimin e “Fondit për Riatdhesimet” (me rezultatin e çuditshëm që imigrantët e rregullt do të paguajnë për dëbimet e klandestinëve!), 20% do t’i shkojë ministrisë së Brendshme për shpenzime të rendit publik dhe të sigurisë dhe vetëm 15% do të shkojë për të financuar sportelet unike dhe 15% për aktualizimin e marrëveshjes së Integrimit.

Elvio Pasca

Shkarko:

Ministri italian i Mbrojtjes në Tiranë

Sportel italian në Shqipëri për favorizimin e punësimit në Itali