in

Archivioluce.com{br}Historia në lëvizje e Istituto Luce-s

Me mëse 5.000 orë kinoditarë, dokumentarë dhe filma, e 3 milionë foto Arkivi i Istituto LUCE është depoja  më e madhe e  kujtesës historike audiovizive italiane. Që të gjitha të shikueshme online,  ku e pranishme është edhe Shqipëria e fillimshekullit, Zogut dhe  fashizmit.  E tashmë edhe ajo e  komunizmit, me arkivat AQSHF-së të dixhitalizuara nga LUCE e të shikueshme online në  albania.archivioluce.com

Nga 2008 është në rrjet, në adresën www.archivioluce.com  portali i ri i Institutit Luce. Është fjala për një pikëmbërritje të natyrshme të një pune të gjatë që i ka fillimet e veta në vitin 1996, vit i largët po të mbahen parasysh hapat gjigantë që ka bërë teknologjia gjatë këtyre viteve.

Instituti Luce ruan thuajse të gjithë kino-ditarët e prodhuar në Itali gjatë shekullit të shkuar. Është fjala për prodhime të shoqërive të ndryshme, mes të cilave më të rëndësishmet janë ato të Institutit Luce nga viti 1927 deri më 1945-n.

Me të kuptuar rëndësinë themelore propagandistike që mund të kishin imazhet në lëvizje, regjimi fashist u organizua shumë shpejt e shumë mirë për t’i përdorur në dobi të tijin. Të projektuar nga kamionë të vegjël në sheshet e qyteteve e të fshatrave, apo të transmetuara në kinema para filmit ë program, kino-ditarët informonin vendin mbi ngjarjet e botës. U arrit, veçanërisht në vitet tridhjetë, të realizoheshin katër, pesë edicione në javë. Të strukturuar si emisionet e sotme televizive të lajmeve, kino-ditarët trajtonin politikën e kronikën, kulturën, spektaklin e sportin, me një kohëzgjatje rreth 10 minuta.

Këta kino-ditarë janë thuajse të gjithë: mungojnë vetëm pesëdhjetë numrat e parë të vitit 1927, e ndonjë tek tuk të periudhës së luftës.

Me rënien e regjimit, Institutit Luce iu ndalua prodhimi i mëtejshëm i kino-ditarëve. Instituti mbeti gjallë dhe u mor me aktivitete të tjera: vazhdoi të prodhonte dokumentarë, edhe këta tashmë të vënë on-line në portal, prodhoi e shpërndau filma dhe bleu të gjithë kino-ditarët që dolën në Itali nga viti 1946 deri nga fundi i viteve tetëdhjetë: mes këtyre duhen përmendur “Settimana Incom” e shfaqur në kinema nga viti 1946 deri në vitin 1965, dhe “Radar” që doli nga viti 1965 deri në 1982-shin.

I gjithë ky material, përfshirë këtu edhe dokumentarët dhe disa repertorë, ata të xhiruar nga operatorë të Luce-s gjatë viteve kur selia e saj u transferua në Venezia, mund të shiheshin on-line që nga viti 2002, gjithsej 12.000 kino-ditarë, 6.000 dokumentarë dhe rreth 8.000 rule xhirimi.

Nga janari 2008 ka risi thelbësore. Para së gjithash është e mundur të konsultohet një pjesë e konsiderueshme e pasurisë fotografike: është fjala për rreth 400 mijë fotografi, nga tre milionë gjithsej, që tregojnë historinë e Italisë nga vitet njëzet deri në gjysmën e viteve gjashtëdhjetë. Flitet jo vetëm për negativat e fotografive të Luce-s, por edhe për koleksione privatësh dhe agjencish të blera në vite. Është koleksioni Roberto Amoruso, fotograf napolitan aktiv në vitet tridhjetë e dyzet, koleksioni Pastorel, prej të cilit janë digjitalizuar fotot e fillimit të viteve njëzet, dhe koleksionet e agjencive Dial dhe Vedo, që të dyja romane, e për këtë arsye pasqyrojnë veçanërisht ç’ndodhte në kryeqytet gjatë viteve 1948-1965.

Paraqet interes të veçantë e ashtuquajtura Seria L: përmbledh peizazhe dhe monumente të Italisë, dhe është fryt i aktivitetit prodhues e mbledhës së një reparti fotografik special të Institutit Luce të quajtur “Arkivi Fotografik Kombëtar” i ngritur në vitin 1928 për qëllime ruajtjeje, promovimi kulturor, propagandistik-turistike dhe tregtare. Seria L, me foto të viteve 1927-1937, ofron pamje të qyteteve më të mëdha historike dhe lokalitetet turistike, të bukurive arkitektonike dhe natyrore më të famshme, por edhe pamje nga fshatra të vegjël dhe panorama peizazhesh që sot janë zona natyrore të mbrojtura.

Foto të Institutit LUCE
Ka edhe një koleksion dedikuar Afrikës Lindore Italiane. Praktikisht, gjatë luftës për pushtim, trupat italiane kishin nga pas kineastë dhe fotografë që dokumentonin bëmat e ushtarëve.

Krah arkivave fotografikë, një tjetër risi ka të bëjë me lidhjen me portale paralele me përmbajtje monotematike dhe të arkivave partnerë, me të cilët Luce ka marrëdhënie bashkëpunimi.

Ndër të parat (portalet me përmbajtje monotematike) mund të rendisim portalet dedikuar krahinave Marche, Valle d’Aosta e Veneto, komunës së Romës, Shtëpisë së kinemasë dhe Dhomës së Deputetëve. Në thelb, janë të gjitha materiale të Institutit Luce që kanë të bëjnë me Krahinat e sipërpërmendura, me qytetin e Romës, botën e kinemasë dhe jetën politike institucionale të vendit në shekullin e shkuar.

Ndër arkivat partnerë të Luces janë: Kinoteka e Friulit (http://cinetecadelfriuli.archivioluce.com), me rreth njëqind dokumentarë të argumenteve të ndryshme, disa shumë të hershëm, të fundit të tetëqindës, e sidoqoftë që të gjithë shumë interesantë.

Është arkivi Folco Quilici (http://quilici.archivioluce.com), një ndër dokumentaristët më të mëdhenj italianë, që ka bredhur mbarë botën me telekamerën nga pas dhe që përmes këtij materiali, që nuk është montuar kurrë e që për këtë arsye është i pashfaqur ndonjëherë, na lë dëshmi të drejtpërdrejtë të këtyre udhëtimeve.

Një tjetër është Arkivi Audioviziv i Lëvizjes Punëtore dhe Demokratike (http://aamod.archivioluce.com) që vë në dispozicion të përdoruesve skedat e të gjithë pasurisë së vet shumë të pasur dhe rreth pesëdhjetë orë filmime që së shpejti do të shtohen me një seleksion të ri të rëndësishëm.

Dhe ajo që është më e rëndësishme për lexuesin tonë, në lidhjet e portalit të Institutit Luce gjen tashmë është Arkivin e filmit shqiptar (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit – AQSHF) (http://albania.archivioluce.com). Falë një marrëveshjeje mes këtij Arkivi, Institutit Luce dhe Krahinës Lazio, është e mundur të shihet për herë të parë on-line një përzgjedhje dokumentesh audiovizive të prodhuara kryesisht nga kinostudioja “Shqipëria e Re” nga paslufta deri në rënien e komunizmit. Përveç shfaqjes së filmimeve, mund të lexohen edhe përshkrimet e sekuencave nga skedat kataloguese të kohës, të lëna siç janë edhe në versionin italian, si dëshmi e retorikës së regjimit.

Tani për tani përshkrimet janë vetëm në italisht por shpejt do të vihet on-line edhe versioni në gjuhën shqipe.

Për sa i përket Shqipërisë në veçanti në bankën e të dhënave të Institutit Luce janë të pranishme rreth 60 reportazhe e kronika të kino-ditarëve dhe rreth 15 dokumentarë që mbulojnë vitet 1928-1943: janë kryesisht kronika të përqendruara mbi figurën e mbretit Zog dhe mbi veprat që regjimi fashist ngrinte në vendin e pushtuar.

Në rrjet janë të pranishme edhe rreth 100 fotografi të viteve 1927-1929 dhe më pas 1938-1939, sikur për gjithë vitet ’30 për vendin e shqipeve të kish mosinteresim të plotë.

Është kataloguar dhe së shpejti do të mund të konsultohet on-line edhe Koleksioni fotografik i quajtur Reparto Albania. Ashtu si për Afrikën Lindore edhe në këtë rast, të nesërmen e pushtimit të vendit, Luce përbënte një repart me seli në Tiranë, menjëherë operativ për fotografime dhe xhirime; këtu bën pjesë një dokumentacion fotografik i bollshëm i përqendruar kryesisht në vitin 1940 të dokumentuar me rreth 3.000 fotografi, ndërsa vitet e tjera nuk kapërcejnë kurrë 1.800 fotot. Në mënyrë koherente me nevojat propagandistike të regjimit, mbizotërojnë dëshmitë e veprave infrastrukturore të kryera apo të favorizuara nga italianët në mbarë territorin shqiptar.

E madhe edhe sasia e fotove që kanë të bëjnë me Mëkëmbësin e Mbretit Jacomoni dhe bashkëshorten Maja Cavallero, e fotografuar kryesisht në veprimtari bamirësie; shumë interesante, por edhe të pakta, fotot që kanë të bëjnë me personazhe qeveritare, të administratës shtetërore dhe të partisë fashiste shqiptare si Kruja, Mborja, Vërlaci, Ypi, Bushati, Koliqi e të tjerë.

Bota Shqiptare

L’Ordine dei giornalisti: basta con le parole “vu cumprà”, “clandestino”, “badante” e “zingaro”

Tunisini rimpatriati col nastro da pacchi sulla bocca. Queste le “normali operazioni” di polizia?