Pas më shumë se dy vjetëve arrati, arrestohet Andi Marashi. Akuzohet nga drejtësia italiane që në korrik të vitit 2009 – bashkë me dy të tjerë, të dënuar tashmë, – të ketë vrarë Ilir Krypin
Romë 3 maj 2012 – Është arrestuar në Shqipëri, pas dy vjetëve në kërkim, Andi Marashi i akuzuar për vrasjen e Ilir Krypit me një plumb në fytyrë, mbrëmjen e 19 korrikut 2009 në sheshin Di Negro të Genovas.
Për të njëjtin krim, në shkurt të vitit të shkuar u dënuan Endrit Bajra dhe Hekuran Sulmataj, përkatësisht me 15 vjet e 4 muaj dhe 16 vjet burgim. Marashi, që konsiderohet edhe vrasësi material i Krypit, nuk është gjykuar pasi ishte arratisur menjëherë pas krimit dhe për të ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar.
Marashi ashtu si edhe dy të tjerët akuzohet për vrasje të vullnetshme, sekuestrim personi, skllavërim dhe shfrytëzim prostitucioni ndaj një të reje rumune. Sipas akuzës Bajra, Sulmataj dhe Marashi kanë sekuestruar të renë rumune, dhe e kanë detyruar të ushtronte prostitucionin pasi e kanë përdhunuar.
Sipas hetuesve, Krypi u vra sepse donte të shpëtonte vajzën. Mbrëmjen e krimit Ilir Krypi e kishte marrë me makinë vajzën nga trotuari në Sampierdarena. Përpara një lokali në Di Negro ku kishte dashur të fliste me të renë, ai ndeshi Bajrën, Sulmatajn dhe Marashin. Krypi u qëllua në sy me një plumb revoleje të vogël CZ kalibër 6,35 dhe vdiq në vend.