Në bashkëpunim mes Policisë shqiptare të Shtetit dhe Guardia di Finanza, arrestohen katër persona që dyshohet të jenë pjesëtarë të një organizate kriminale italo-shqiptare
Tiranë, 27 maj 2012 – Strukturat e Policisë së Shtetit bllokuan të shtunën një gomone me 95 kg lëndë narkotike në bord, dhe arrestoi 4 persona që dyshohet se janë pjesëtarë të një organizate italo-shqiptare që trafikonin lëndë narkotike drejt Italisë. Mjeti lundrues u zbulua dhe u bllokua në bregdetin e Jalës, 70 km në jug të Vlorës. Veprimet hetimore për këtë ngjarje kanë nisur rreth 4 muaj më parë dhe objekt i tyre ishte një grup kriminal me tendencën e trafikut të lëndëve narkotike në drejtim të Italisë”, thanë burimet zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, në përfundim të këtyre hetimeve, sot u arrestuan Mario Gjata, 37 vjeç, lindur në Fier e banues në Vlorë, Artur dhe Artjol Haxhiaj, 26 dhe 31 vjeç nga Himara, Arben Shtëmbari (Ilia Prendi), 43 vjeç nga Vlora, që dyshohet të jetë edhe organizatori i këtij grupi të trafikut të lëndëve narkotike. Nga hetimet rezulton se dy vëllezërit Haxhiaj organizonin transportimin e drogës nga zonat e Gjirokastrës dhe Vlorës, drejt bregdetit të Himarës, ku ajo imbarkohej në mjetin lundrues për t’u dërguar drejt Italisë. Po ashtu, rezulton se shtetasi Arben Shtëmbari është organizator edhe i trafikimit të një sasie prej 550 kg lëndë narkotike, e cila u bllokua në datë 22 prill 2012 në Itali, kur u arrestuan shtetasit Krenar Dulellari dhe Renato Xhoxhaj. Ndërkohë, Shtëmbari dyshohet të jetë autor i një rasti gjobë-vënieje të ndodhur në prill 2012 në dëm të shtetasit D. B., në qytetin e Vlorës.
Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, në datë 24 maj 2012, rreth orës 12:00, nga Qendra Ndër-Operacionale në Durrës, është marrë informacion se një mjet lundrues i dyshimtë po afrohej nga territori italian për në brigjet shqiptare në zonën e Himarës, me një shpejtësi 7 milje/orë. Nga efektivat Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe Drejtorinë Rajonale për Kufirin & Migracionin, në bashkëpunim me Prokurorinë Kundër Krimeve të Rënda Tiranë, është koordinuar puna për një operacion të përbashkët antidrogë të koduar “Hidra”, duke e zhvendosur epiqendrën e veprimeve në bregdetin e Himarës dhe duke alternuar shërbimet operacionale detare dhe tokësore me mbështetjen edhe të Guardia di Fiananza. Kështu në bregdetin e Jalës është arritur të konstatohet dhe të kapet një skaf, me gjatësi rreth 7 metra, me motor të fuqishëm 225 KF, i cili ishte i braktisur. Nga ndjekja dhe kërkimet e mëtejshme që janë kryer në territorin përreth është arritur të arrestohet edhe drejtuesi i mjetit lundrues.
Aktualisht, po vazhdojnë hetimet, në bashkëpunim me partnerët italianë, për shkak se dyshohet se të arrestuarit mund të kenë organizuar raste të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike, ku janë përfshirë edhe persona të tjerë, shtetas shqiptarë dhe italianë. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 3 automjete si dhe 270 litra benzinë, që do të përdorej për të furnizuar gomonen.