in

Nebi Muçaj, nga Marche në Emilia në ndihmë të të prekurve nga tërmeti

Nebi Muçaj ka ndihmuar në tendopolin e ngritur në Massa Finalese dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndihmuar në fazën e rindërtimit të zonave të Emilias të dëmtuara nga tërmeti

Nebi Muçaj

“E ndiej si detyrë morale të ndihmoj persona në vështirësi. Ndaj edhe sapo mora vesh ç’ndodhi në Emilia shkova në qendrën e Mbrojtjes Civile e zonës dhe shpreha gatishmërinë për t’u nisur”. Kështu thotë Nebi Muçaj, sipërmarrës ndërtimi shqiptar prej dhjetë vjetësh rezident në Porto Sant’Elpidio në Marche. 45 vjeç, baba i dy fëmijëve, Nebiu është regjistruar vullnetar në radhët e Mbrojtjes Civile të Porto Sant’Elpidios prej mëse një viti dhe herë pas here lë punën e familjen për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve.

Nga data 2 deri më 7 qershor, bashkë me mikun e tij Vittorio Caccavallo janë dërguar nga Porto Sant’Elpidio në Emilia për të ndihmuar popullsinë e goditur nga tërmeti. “U caktuam në kampin me çadra të ngritur në fushën sportive të Massa Finaleses. Aty ndihmuam për pesë ditë, nga ngritja e tendave deri të pastrimi i banjove, apo në kuzhinë”.

Për pesë ditë Nebiu punoi krah vullnetarëve të tjerë të Mbrojtjes Civile, por dallohej nga të tjerët për shqiponjën e zezë në gjoks mbi uniformën e verdhë. Për pesë ditë u ndenji pranë e ndihmoi rreth 500 personat që ishin strehuar në kampin fushor të Massa Finaleses. “Rreth 70% e personave të strehuar aty ishin të huaj. Kryesisht rumunë e marokenë. Nuk kishte asnjë shqiptar” tregon ai.

“Ndihma që jepet në këto raste në kampe është e vazhdueshme dhe kjo krijon stres, ndaj edhe vullnetarët ndërrohen çdo javë. Sidoqoftë, mendojmë të shprehim gatishmërinë tonë për të ndihmuar sërish pas nja një muaji” thotë qoftë Nebiu qoftë Vittorio.

Si vullnetar i Mbrojtjes Civile ka ndihmuar për dy javë edhe në shkurt kur ishte emergjenca e dëborës. Edhe atëherë bashkë me mikun Vittorio, ky i fundit prej pesë vjetësh në radhët e Mbrojtjes Civile të Fermos.

Por Nebiu nuk është mjaftuar vetëm më ndihmën konkrete të dhënë ato ditë në kamp. Firma e tij e ndërtimit Artedil s.r.l, bashkë me studiot e arkitektëve e inxhinierëve me të cilët bashkëpunon, i ka dërguar një faks sallës operative të Mbrojtjes Civile të Marcheve për të shprehur gatishmërinë për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti: nga vlerësimi teknik i objekteve të dëmtuara, deri te rimëkëmbja e tyre. “Kur isha në Emilia, takova edhe Maino Benettin, kryebashkiakun e Mirandolës, një nga qytezat më të goditura, dhe i shpreha gatishmërinë për të dhënë ndihmesë konkrete për rindërtimin e vendit por edhe për të njohur nga afër njerëzit që ndihmojmë, për t’iu gjendur pranë në këto çaste të vështira për ta. Më përgëzoi dhe vlerësoi gatishmërinë, por unë shpresoj që ta mbajë vërtet parasysh ofertën time”.

Një gatishmëri të tillë Nebiu e shqiptarë të tjerë të shoqatës Skanderbeg të Fermos e kanë shprehur edhe katër vjet më parë, pas tërmetitì në Aquila. “E bëmë për të treguar që edhe pse jemi shqiptarë, të ardhur në Itali, e duam këtë vend ku jetojmë si të ishte i yni”.

Keti Biçoku

 

Presidenti i ri. Tërhiqet Artan Hoxha, hyn në lojë Bujar Nishani

Keqtrajtime në familje. Arrestohet në Terni një 35-vjeçar