Sipas policisë, sasia e bllokuar është e një cilësie shumë të lartë dhe që nuk përputhet me varietetet e sjella zakonisht nga Shqipëria. Mendohet tëjetëe modifikuar gjenetikisht. Fitimi prej saj do të kapte shifrën 300 mijë euro
Romë, 20 qershor 2012 – Në treg do të sillnin një fitim prej 300 mijë eurosh 107 kilogramët e marijuhanës të kapura nga policia e Bolognës. Janë arrestuar dy shtetas shqiptarë që po transportonin atë dhe që ndiqeshin prej kohësh nga forcat e rendit. Drejtori i i zyrës së luftës kundër Narkotikëve bëri të ditur se sasia e bllokuar është e një cilësie shumë të lartë dhe që nuk përputhet me varietetet e sjella zakonisht nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një varietet të krijuar në Hollandë dhe që duket se është fryt i një modifikimi gjenetik të bimës. Analizat kanë dëshmuar se në këto bimë principi aktiv që shkakton efektin narkotik tek njeriu, është i pranishëm në sasi shumë më të mëdha. Hipoteza është se ky varietet është kultivuar edhe në Shqipëri për të plotësuar kërkesat e tregut.
Po këtë javë janë arrestuar në qytetin e Parmës dy shtetas shqiptarë 21 e 28 vjeç. Së bashku me një shtetas moldav ata përpunonin drogën në disa apartamente në Parma, Poviglio e Sant’Ilario d’Enza. Janë kapur 11 kilogramë heroinë dhe kokainë, me një vlerë prej një milion eurosh.