in

Hetohet polici që vrau 26-vjeçarin Panajot Hola

Më 20 qershor, dy kushërinjtë shqiptarë, Panajot Hola, 26 vjeç, dhe Maksim Dormemaj, 21 vjeç, nuk ka ndaluar në një postbllok. Një nga policët qëllon me armë dhe vret Holën

Është futur në regjistrin e personave nën hetim polici që ka shkaktuar vdekjen e Panajot Holës. 26 vjeçari shqiptar mbeti i vrarë ditën e mërkurë gjatë një operacioni antidrogë, i goditur nga një plumb që me sa bën të ditur kuestura e Grossetos, ishte shkrehur aksidentalisht nga polici.

Nga të dhënat e deritanishme dihet se automjeti ku udhëtonin dy kushërinjtë shqiptarë, Panajot Hola dhe Maksim Dormemaj, 21 vjeç, nuk ka ndaluar në një postbllok. Në tentativën për t’u larguar, janë goditur dy policë, njëri prej të cilëve kur është rrëzuar duket se ka shkrehur armën. Plumbi, që ishte ngulur në krahun e majtë të automjetit, ka përshkruar llamarinën dhe i ka hyrë të riut shqiptar në anën e majtë të gjoksit.  Kur makina ka ndaluar, pas përplasjes me një automjet të policisë, Panajot Hola është gjetur në gjendje të rëndë. Aq sa është çuar në spital pa pritur mbërritjen e ambulancës. Por pas 40 minutash, Panajot Hola që pas katër muajsh do bëhej baba, ka ndërruar jetë.

Në pritje të rezultateve të autopsisë dhe të analizës balistike mbi armën, polici që ka shtënë akuzohet për vrasje të paqëllimshme.

I riu tjetër që ndodhej në makinë, është munduar më kot të largohet në këmbë. Ai ndodhet i mbyllur në burg i akuzuar për tentativë vrasjeje dhe trafikim lëndësh narkotike, meqenëse në automjetin ku ai udhëtonte u gjetën 10 kg marijuhanë. Avokati i tij mbrojtës vë në dukje se Maksim Dormemaj nuk ndodhej në timon, e ky element hedh poshtë akuzën e parë.

Linjë e re detare Durrës-Bari

Aksident rrugor në A1. Vdes një 27 vjeçare shqiptare dhe dy pleq sicilianë