Grupi Drejtues Ndërkombëtar i jep fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Në takimin e sotëm, vendet që e kanë njohur pavarësinë deklaruan se Kosova i ka përmbushur shumicën e kritereve ndërkombëtare për të funksionuar si shtet pa mbikëqyrje
Ashtu siç pritej, sot Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, që përbëhet nga 23 shtete evropiane, SHBA-ja dhe Turqia, dhe që ka mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës ka vendosur që nga dita e sotme, Kosovës t’i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) të pushojë në shtator. Lajmi raportohet nga mediat në Kosovë, të cilat citojnë deklaratën e shefit të ICO-së Piter Feith, dhënë gjatë një videokonference të mbajtur në Vjenë, pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, takim në të cilin merrte pjesë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
Feith gjithashtu ka thënë që veriu i Mitrovicës nuk do të ndahet dhe nuk do të jetë një konflikt i ngrirë, por do të integrohet. Ndërkohë kryeministri Thaçi ka mirëpritur këtë vendim, duke shtuar se Kosova deri në shtator do t’i kryejë të gjitha detyrimet.
“Institucionet e Kosovës janë të gatshme për të ushtruar të gjitha përgjegjësitë shtetërore,”- ka theksuar Kryeminsitri Thaçi, duke vënë në dukje reformat e kryera nga qeveria e tij për mbrojtjen e pakicës serbe dhe të trashëgimisë kulturore të Serbisë në Kosovë.
“Konsideroj se të gjithë bashkë, kemi bërë një punë të shkëlqyer, e cila e ka kthyer Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë. Unë e di se ende kemi punë për të bërë: duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë, duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik, të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre”, është shprehur Thaçi.
“Komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të vendosë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës”, tha dje ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger në një deklaratë për agjencinë e lajmeve DPA. “Kjo është shenjë e qartë e mirëbesimit që është vendosur në Kosovë. Kosova tashmë është mjaft e pjekur për të qëndruar në këmbët e veta dhe për të marrë përgjegjësi të plotë për të ardhmen e të gjithë shtetasve të saj”, tha ai.
Megjithatë, Bashkimi Evropian e vazhdon praninë e tij në Kosovë me misionin EULEX për polici dhe sundim të ligjit, ndërsa janë të pranishme edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.
Më tutje, Spindelegger, në intervistën për agjencinë DPA, theksoi se “prania e vazhdueshme e trupave ndërkombëtare mbetet e domosdoshme për shkak të situatës në veri të Kosovës, e cila nuk është zgjidhur krejtësisht”.