Do të vijë në Itali më 9 korrik Edmond Panariti, ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë që në ndërrimet e fundit të qeverisë zuri vendin e Edmond Haxhinastos, sot ministër i Ekonomisë
Romë, 4 korrik 2012 – Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, menjëherë pas betimit para presidentit të Republikës, ka zhvilluar dje një takim me Ambasadorin italian në Tiranë, Massimo Gaiani.
Gjatë takimit në mjediset e MPJ-së, u shkëmbyen mendime rreth marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Takimi bëri gjithashtu të mundur thellimin e disa çështjeve, të cilat do të trajtohen gjatë vizitës së Ministrit Panariti në Romë, në datën 9 Korrik, me ftesë të Ministrit italian të Punëve të Jashtme, Giulio Terzi.
Panariti është 52 vjeç, i diplomuar në mjekësi veterinare, vjen nga bota e shkencës dhe nuk ka asnjë eksperiencë diplomatike. Vitin e fundit ka mbuluar postin e nënkryetarit të bashkisë së Tiranës.