Hajdarkolaj, koordinatori i Aleancës Kuq e Zi Toskanë: “Këto aktivitete janë të nevojshme, jo vetëm për njohjen e artit e kulturës shqiptare, por edhe për prezantimin e talenteve të reja që po formohen jashtë Atdheut. Po aq e rëndësishme dhe e nevojshme është dhe koordinimi dhe bashkëpunimi mes organizatave shqiptare në diasporë”
Romë, 9 korrik 2012 – Më 4 korrik, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Dega Rajonale e Aleancës Kuq e Zi në Toskanë organizoi në Firence, “djepin” e rilindjes dhe artit italian, “Mbrëmjen e Artit” gjatë të cilës prezantoi 12 artistë të ri shqiptarë.
Artistët pjesëmarrës ishin Alban Berberi, Albien Alushaj, Anxhela Hoxhalli, Arbër Elezi, Bardhyl Alibali, Dhimitraq Kote, Klaudio Lukaj, Lori Lako, Jonida Xherri, Renis Kërtusha, Riviera Lazeri, Ada Halilaj, studentë të Akademisë së Arteve të Bukura të Firences, në degët e pikturës, skulpturës, videoartit, poezisë dhe muzikës, Kurator i pjesës artistike të mbrëmjes ishte skulptori Renis Kertusha, kryetar i grupit të punës në Firence i AK Toskana. Mbrëmja u shoqërua edhe me muzikë folkloristike shqiptare, këngë e valle tradizionale, recitime vargjesh nga poezi të Ali Asllanit dhe poezi të shkruara nga artistët e rinj pjesëmarrës.
Aleanca Kuq e Zi e Firences organizoi këtë eveniment duke vënë në jetë pjesë të programit të saj mbi diasporën si promuovimi i artit e kulturës shqiptare, mbështetja e të rinjve shqiptarë që studiojnë jashtë kufijve dhe e fuqizimit të lidhjeve mes shoqatave e organizatave shqiptare aktive në territorin italian.
Xherri Hajdarkolaj, koordinatori i Degës Rajonale të Aleancës Kuq e Zi në Toskanë në përshëndetjen e tij vuri theksin tek nevoja dhe rëndësia e këtyre aktiviteteve, jo vetëm për të njohur qytetarët e institucionet italiane me spektrin e artit e kulturës shqiptare, por sidomos për prezantimin e këtyre talenteve të reja që po formohen jashtë Atdheut që kanë nevojë për më shumë mbështetje e vëmendje nga institucionet. Po aq e rëndësishme dhe e nevojshme është dhe koordinimi dhe bashkëpunimi mes organizatave shqiptare në diasporë, të cilat së bashku jo vetëm mund të punojnë më lehtë por mund e duhet të bëhen faktor lobimi në vendet ku jetojnë ndaj politikave për emigrantët shqiptarë dhe në vendimmarrjet e politikës së jashtme të këtyre shteteve drej Shqipërisë.
Organizatat Shqiptare pjesëmarrëse në këtë veprimtari ishin: Diaspora Çameria Itali, Milosao, ASUF, GAT, Shoqata e Artistëve Shqiptarë Firence.
{gallery}mbremje-arti{/gallery}