“Kemi vënë në jetë udhëzimet e Parlamentit. Nuk është një sanatore e përgjithshme, ka kritere shumë të rrepta”
Romë, 19 korrik 2012 – “Sanatoria paraqet një rast për punëdhënësit që të legalizojnë marrëdhëniet e punës me të huaj që kanë punësuar në të zezë. Një mundësi për të huajt, që të mund të punojnë në dritë të diellit. Por është edhe një udhëzim i një zgjedhjeje të vendosur kundër shfrytëzimit të migrantëve, siç na e kërkon Europa”.
Ministri i Integrimit Andrea Riccardi, i intervistuar nga Il Sole 24 Ore, paraqet në këtë mënyrë legalizimin e fundit të të huajve të parashikuar me dekret legjislativ që pritet të aplikohet nga 15 shtatori.
Një masë që është mbështetur prej tij më shumë se kushdo tjetër në qeveri, por që, siç e kujton edhe ai, “është kërkuar nga Komisionet e Dhomës së Deputetëve dhe të Senatit”.
Sepse, edhe pse zëra nga PDL sot thonë të kundërtën, “maxhoranca në komisionett parlamentare ka mbështetur e gjitha njëzëri mekanizmin e normës kalimtare (pra të legalizimit të punonjësve të huaj në të zezë)”.
Falë këtij mekanizmi, nënvizon ministri, “punëdhënësit do të mund të shmangin sanksionet e rënda e parashikuara nga Brukseli, e tani edhe nga Italia, dhe të legalizojnë marrëdhëniet e punës, që është kusht parësor për një process real dhe pozitiv integrimi. Në këtë mënyrë do të mund të ulim ndjeshëm punën në të zezë e të parregullt në Itali”.
“Nuk jam ministri i të huajve, por i integrimit mes italianëve dhe migrantëve”, shton Riccardi. Më pas ai kujton të gjithë filtrat që përjashtojnë nga legalizimi disa kategori punëdhënësish dhe të huajsh dhe në veçanti kriterin e pranisë në territorin Italian nga 31 dhjetori 2011. Dhe atyre që i tremben një sanatoreje në masë të të huajve u përgjigjet: “Normat janë shumë të rrepta”.