Mes të arrestuarve 25 vjeçari Jeton Jella dhe Besim Xheli, 26 vjeç. Në nëntor 2011, banda rrahu për vdekje një 76-vjeçare në Pozzuoli
Romë, 7 janar 2013 – Grabisnin të moshuarit, madje edhe duke i rrahur për vdekje nëse këto nuk “bashkëpunonin” duke u dorëzuar paratë e arturinat që kishin në shtëpi. Rasti më i rëndë ai i 76-vjeçares Antonietta Gigante, në Pozzuoli të Napolit, që në 19 nëntor të vitit 2011 u gjet e vdekur në shtëpi të saj e lidhur këmbë e duar e me shenja të shumta rrahjeje në trup.
Më në fund forcat e rendit gjatë dy muajve të fundit kanë arritur të arrestojnë bandën kriminale të specializuar në grabitje të shtëpive të të moshuarve, bandë që përbëhet nga dy shqiptarë e tre italianë, burra e gra.
Në nëntor 2012 është arrestuar 25 vjeçari Jeton Jella, në dhjetor edhe tre të tjerë: Besim Xheli 26 vjeç, dhe dy gra italiane Maria Domenica Lettieri, 38 vjeçe dhe Assunta Di Silvestro 36. Të shtunën më 5 janar është arrestuar edhe një 40-vjeçar, Giovanni Lettieri.
Gjatë hetimeve, është zbuluar që banda vinte në shënjestër shtëpitë e grave të moshuara. Disa nga detajet mbi mënyrën e punës së bandës janë dhënë sot nga karabinierët.
Di Silvestro, fqinjë e viktimave, jepte informacione mbi jetën e tyre të përditshme, i ofronte shtëpinë e saj bandës në pritje të çastit të volitshëm për të ndërhyrë dhe në fund merrte pjesën e saj nga grabitja.
Maria Domenica Lettieri ishte “shoferja” e grupit, i çonte me makinë pranë shtëpive të vëna në shënjestër, i merrte pasi kishin mbaruar punë dhe shpërblehej me pjesën e saj nga plaçkitja. Ndërsa tre meshkujt ishin ata që kryenin fizikisht grabitjen: hynin në shtëpitë e të moshuarave natën, i bllokonin dhe pastaj u merrnin të holla e gjëra me vlerë që kishin.
Të arrestuarit janë të gjithë në burg ndërsa vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha grabitjeve ku ata mund të kenë marrë pjesë.