in

Papa me origjinë shqiptare, Klementi XI dhe familja Albani

Papa Klementi XI, (Gian Francesco Albani) pinjoll i familjes së madhe me origjinë shqiptare, veprimtar për rilindjen politike dhe fetare të Shqipërisë së shekullit XVIII dhe nismëtar i njohjes të të drejtave fetare për arbëreshët në Itali ishte një ndër mbështetësit kryesorë të mbajtjes të Kuvendit të Arbrit

Shpresa e vazhdueshme e papës me origjinë shqiptare Klementit XI (Gian Francesco Albani, lindur më 1649, papë nga 1700-1721) për të bashkuar Krishtërimin, dha rezultate të gjëra në Shqipari ku Kisha katolike dhe ajo ortodokse bashkëjetuan për një periudhë. Klementi XI, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” i njohur si “Kuvendi i Arbrit” (1703) i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore.

Ndërkohë ndryshime ishin vënë re edhe në krahun ortodoks. Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar. Kështu në fillim u arrit një farë bashkimi, porse më tej, meqë nuk ishte në lartësinë e duhur, u arrit hapja e selive të kryepeshkopatave për dioqezat latine të Ohrit dhe Shkupit. Një mision i ritit bizantin funksiononte në Himarë që nga viti 1628. Përveç kësaj, në shekullin XVIII, në shumë zona verilindore dhe qëndrore u vu re dukuria e kriptokrishtërimit (krishtërimi i fshehur), e cila zgjati deri në ditët tona (sidomos gjatë periudhës enveriste); e edhe ata që përqafuan islamin, parapëlqyen në shumicë sektet më heterodokse dhe më pak të largëta nga krishtërimi, si psh bektashinjtë.

Familja Albani u themelua nga dy vëllezër shqiptarë Giorgio dhe Filippo di Michele de’ Lazi, ish luftëtarë nën urdhrat e Skënderbeut, të cilët u vendosën në Urbino, ku Federico dhe Guidobaldo di Montefeltro i emëruan njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe luftarake. Morën mbiemrin Albanesi që jetëgjati Altobello (1445-1564), i biri i Giorgios, e ndryshoi në Albani. Nga kjo familje rrodhën, përveç Klementit XI, kardinalë të shquar, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti të sërës së lartë:

Giovanni Girolamo (1509-91): kardinal dhe kont, zv-komandant i forcave të armatosura të Republikës së Venecias, kandidat për papë në dy konklave, historiograf, këshilltar juridik vetiak i papës Gregori XIII (1572-1584) dhe papës Sisto V (1585-90). Orazio (1576-1653): diplomat, emëruar senator i Romës nga papa Urbani VIII (1623-44).Annibale (1682-1751): kanunor i Shën Pietrit, president i Dhomës Apostolike, sekretar i Memorialeve, kardinal (1711) dhe nunc i jashtëzakonshëm papnor në Vienë ku punoi për të ratifikuar zgjedhjen e perandorit Karli VI (1711-1740), kamerleng i Kishës Së Shenjtë të Romës, kryekancelier i Dijes, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit, peshkop i Sabinës e më tej i Porto e Santa Ruffina, nëndhjak i Kolegjit të Shenjtë.

Alessandro (1692-1779): që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare u bë kolonel i ushtrisë së papës por shpejt e braktisi karrierën ushtarake, sekretar i Memorialeve, i dërguar në Vienë, kardinal (1721), bibliotekar i Kishës Së Shenjtë të Romës, amabasador i Austrisë në Romë, mbrojtës i Mbretërisë së Sardenjës, mbrojtës dhe mik i Winklemannit, ndërtues i Villa Albanit dhe përkrahës i shkëlqyer i arteve.

Gian Francesco (1720-1803): kardinal (1753), mbrojtës i Çështjeve të Polonisë, mori pjesë në bisedimet me Katerinën II (1762-93) për të vënë në vend gjendjen e të krishterëve në Rusi, peshkop i Sabinës e më pas i Porto e Santa Ruffinas derisa më 1775 si dhjak i Kolegjit të Shenjtë u bë peshkop i Ostias dhe Velletrit, mbrojtës i Shtetit Papnor kundër Francës revolucionare dhe luftëtar i zjarrtë për zgjedhjen e papëve Klementi XVII (1758-1769) dhe Pio VII (1800-23);

Giuseppe (1750-1834): klerik i dhomës së papës Pio VI (1755-99), i dërguar i posaçëm në Vjenë për të çuar shiritin e bekuar në pagëzimin e krydukës Ferdinand që më pas u bë perandor (1835-48), kardinal (1801) mbrojtës i perandorisë së Austrisë, bashkësekretar i familjes Brevi dhe legat në Bolonjë, sekretar shteti i papës Pio VIII (1829-30), dhe komisar i jashtëzakonshëm i papës Gregori XVI (1831-46) i ngarkuar për të kthyer rendin nëpër Dërgata pas lëvizjeve revolucionare (1831-46), bibliotekar i Kishës së Shenjtë të Romës, peshkop i Urbinos dhe legat i Dërgatës së Pesaros dhe Urbinos. Pas vdekjes së Filipit, më 1852 familia u shua. Është diçka e veçantë dhe për t’u vënë re që pothuajse njëkohësisht me familjen shqiptare të Albani-t, në Lindje, një tjetër derë e madhe shqiptare vezirësh të mëdhenj, përcaktonte fatet e perandorisë otomane në shekujt XVII-XVIII: familja e Qyprillinjve.

Para papës Klementi XI, tre papë të tjerë kishin qenë me origjinë shiptare: San Eleuterio (175-189), San Caio (283-296) dhe Giovanni IV (640-642).

Giovanni Armillotta.

 

Flërt te 409-ta

Bukureshti, aromë Ballkani dhe Europe