in

Regjistrimi në shkollë. Për fëmijët e klandestinëve, kërkesa paraqitet dorazi

Sistemi online kërkon kodin fiskal të prindërve, kështu që përjashton ata pa leje qëndrimi. Ministria e Arsimit: “Të paraqesin kërkesën e regjistrimit pranë shkollave”

Romë, 30 janar 2013 – Nga mesi i janarit janë hapur regjistrimet e fëmijëve në të gjitha nivelet e shkollës së detyruar për vitin akademik 2013/2014. Me një risi shumë të rëndësishme: gjithçka duhet bërë online.

Prindërit duhet të lidhen me sajtin e ministrisë së arsimit www.iscrizioni.istruzione.it, të regjistrohen, e më pas të përpilojnë dhe të nisin kërkesën telematikisht. Mund ta bëjnë në çdo orë të ditës, përfshirë të shtunë e të diel, mjaft të përmbyllin procedurën brenda 28 shkurtit.

Në një vështrim të parë duket gjithçka më e thjeshtë. Nuk është tamam kështu sepse sistemi informatik i ministrisë së Arsimit duket se nuk po e përballon dot fluksin e lartë të kërkesave, që në tre ditët e para kishte arritur në 130 mijë, e herë funksionon e herë bllokohet.

Por një problem më i madh ka lindur për fëmijët e emigrantëve me qëndrim të parregullt. Mes të dhënave të detyrueshme që duhen shkruar në kërkesë, është edhe kodi fiskal i prindërve, por kur këta nuk kanë leje qëndrimi, nuk kanë as kodin.

Kështu që regjistrimi është i pamundur. Edhe pse ligji i emigracionit parashikon (me gjithë propozimin e legistëve që shkonte në drejtim të kundërt) që shkollimi i detyruar është e drejtë/detyrim për të gjithë të miturit, pavarësisht nëse prindërit e tyre kanë apo jo lejen e qëndrimit.

Më 23 janar edhe Rrjeti i Studentëve Medi paditi këtë situatë. “Është e papranueshme. – tha zëdhënësi kombëtar Daniele Lanni – Regjistrimi duhet të jetë i mundur edhe për bijtë e emigrantëve pa leje qëndrimi, ashtu siç parashikon neni 38 i tekstit unik për emigracionin, e ministria duhet të marrë masat për modifikimin e formularit të kërkesës së regjistrimit sa më parë.

Të njëjtën ditë ministria “mori masat”. Modifikoi sistemin informatik? Jo, por ftoi të gjithë të huajt e parregullt të marrin kartë e penë, të shkruajnë me dorë kërkesën e të vihen në radhë përpara shkollave për ta dorëzuar.

“Siç dihet – lexohet në një komunikatë të ministrisë – regjistrimi duhet t’u garantohet të gjithë nxënësve që kanë të drejtën e detyrimin e shkollimit, edhe pse, në çastin e regjistrimit janë pa leje qëndrimi e për rrjedhojë pa kodin fiskal. Prindërit e këtyre nxënësve duhet të shkojnë pranë sekretarive të shkollave që e kanë për detyrë të pranojnë kërkesat e regjistrimit”.

Elvio Pasca

Deklarimi i të ardhurave. Çfarë rrezikoj nëse nuk e paraqes?

Vogue: “Altin Prenga një nga katër shefat e kuzhinës së Food Revolution”