Pushime në Shqipëri
Vlorë 24 gusht 2010 – “Kemi mbërritur nga Greqia dhe pasi të qëndrojmë një javë, do të lundrojmë drejt Malit të Zi”, thotë për ATSh-në Maurizio, një 65 vjeçar nga Vicenza, teksa shëtit me bashkëshorten dhe me qenin e vogël në rrugicat brenda territorit të portit të jahteve në Orikum, 20 km në jug të Vlorës.
I pasionuar pas detit, ai është pronar i një jahti, në bordin e të cilit kalon një pjesë të verës me një itinerar që përfshin disa nga portet e njohura të Adriatikut. Itinerar, që tashmë është pasuruar edhe me Vlorën, ose më saktë më Orikumin, që kur një vit më parë, teksa kërkonte në internet, i tërhoqi vëmendjen ky port turistik, që më pas, nuk e zhgënjeu.
“Është mjaft i mirë, i këndshëm dhe i vendosur në një bregdet të bukur”, thotë Maurizio, që po ja kalon mirë këto ditë qëndrimi këtu në port. Përveç shëtitjeve në det apo në vende të ndryshme përgjatë bregdetit, si në Llogora, për të cilën tregon se i ka pëlqyer mjaft, 65-vjeçari ka krijuar mjaft njohje të reja me turistë nga vende të ndryshme të botës.
Bashkë me Maurizion, edhe Mario, një sipërmarrës nga Napoli, me të cilin janë njohur këtu, thonë se, porti i jahteve është një mjedis mjaft i gjallë ku gjen pushues nga e gjithë bota.
“Jahtet luksoze të ankoruara në bankina, flasin vetë”, thotë Mario, një 38-vjeçar, që vjen për herë të dytë këtu dhe itinerari i jahtit të të cilit, është i thjeshtë: Napoli-Orikum dhe kthim.
Në bankinat e portit të jahteve në Orikum, një kompleks i vërtetë turistik jahtesh, në këto ditë gushit, spikasin flamujt e dhjetëra vendeve, nga Evropa e më tej, përveç atyre italianë, gjermanë, francez, britanikë, kroatë, malazez, grek, aty spikasin edhe ata australianë, neozelandezë, që valëviten në direkë, krahas flamurit shqiptar, sipas rregullave të të drejtës ndërkombëtare të detit.
Një çift bashkëshortësh nga Zelanda e Re po kryejnë disa shërbime në bordin e jahtit të tyre, duke pastruar, ndërsa në bankinën jugore, një tjetër i huaj, i pasionuar pas peshkimit, ka hedhur grepat në ujë.
“Porti është mbushur plot me turistë nga vende të ndryshme. Një pjesë prej tyre, qëndrojnë për disa ditë duke prenotuar këtu, por dhe mjaft të tjerë që duke u bërë pronarë të këtyre apartamenteve, janë pushues të zakonshëm që vijnë çdo sezon vere”, thotë Luan Bedini, administrator i kompleksit turistik të jahteve në Orikum.
Porti kompleks turistik në Orikum, i ndërtuar disa vjet më parë me investim të sipërmarrësit italian, Giorgio Alfo, është shndërruar tashmë në një mjedis të turizmit elitar.